Nga ndërtesa pesëkatëshe nxirren tetë trupa të pajetë
Arsyet e shembjes së ndërtesës ende nuk dihen
Nga gërmadhat e ndërtesës pesëkatëshe, e cila u shemb në jug të Napolit, janë nxjerrë tetë trupa të pajetë, njoftuan sot zjarrfikësit.
Kërkimet për viktimat në gërmadhat e ndërtesës kanë përfunduar në mëngjes, më shumë se 24 orë pasi që ndërtesa u shemb papritmas, transmeton AP.
Rreth 80 zjarrfikës kanë punuar gjatë natës me ndihmën e ekskavatorëve për të gjetur viktimat.
Arsyet e shembjes së ndërtesës ende janë të panjohura, por autoritetet janë duke shikuar nëse ajo ka të bëjë me punët e renovimit, të cilat janë kryer në ndërtesën, e cila ndodhet në afërsi të hekurudhës.
Dëshmitarët thanë se para shembjes nuk është dëgjuar kurrfarë shpërthimi, por se pak kohë para kësaj atypari kishte kaluar treni.