Nga rreziku i kolapsit tek ringjallja financiare, Osmani flet për vitin e dhimbshëm të Prishtinës

Njëri nga klubet me historinë më të madhe në futbollin kosovar, por edhe ndër më të trofeshmit, vitin e kaluar rrezikoi që të kolapsonte i tëri për shkak të krizës së thellë financiare.
Pamundësia për të dhënë pagat e lojtarëve dhe të stafit bëri që klubi nga kryeqyteti të futej në një tunel të errët që frikësoi të gjithë tifozët e këtij klubi, por edhe gjithë opinionin sportdashës në vend.
Për këto vështirësi ka folur drejtori Gjeneral i Prishtinës, Artan Osmani. Ai për KosovaPress thotë se klubi vërtetë ishte futur në një krizë të thellë që po reflektohej fuqishëm edhe në aspektin sportiv dhe atë të rezultateve, por për fat të mirë bashkimi i forcave të aksionarëve e shpëtoi klubin.
“Deri tani kemi pasur dy periudha, njëra jo shumë e mirë, fillimi i vitit 2022, gjashtë muajt e parë ku hasën në vështirësi financiare të cilat pastaj u përcollën edhe me vështirësi sportive me rezultate jo të mira, nuk arritëm të licencohemi për gara evropiane në të cilat gjithashtu edhe nuk u kualifikuam për shkak të humbjes në kupë. Ndërkohë pas përfundimit të sezonit provuam ta bëjmë një riorganizim, një ristrukturim, u angazhuan edhe aksionarët e klubit, na ndihmuan me mjete dhe arritëm që ta ruajmë bazën e ekipit me tre apo katër lojtarët kryesorë dhe ndërkohë e përforcuam ekipin me lojtarë të tjerë pak më të rinj. Financiarisht ndërkohë krijuam një stabilitet të cilin e kemi mbajtur deri tani… Jemi më mirë edhe në aspektin sportiv, jo brenda kapaciteteve tona sepse Prishtina gjithmonë pretendon për titull”, tha Osmani.
Nga kriza financiare e klubit madje u prek edhe trajneri i asja kohe të Prishtinës, Abdulah Ibraković. Boshnjaku nuk e duroi atë situatë dhe iku nga klubi pa fjalë, ndërsa vendin e tij, me vendim të aksionarëve e zuri Ismet Munishi.
“Trajneri i kaluar kryesisht ka shkuar për shkaqe financiare sepse kur ke vonesa në pagesa, sidomos për stafin që nuk jetojnë këtu, paguajnë qira, kanë shpenzime, është pak më e vështirë. Largimi i tij ka ardhur si pasojë e kësaj. Ndërkaq, zgjedhja e Ismet Munishit ka qenë vendim i aksionarëve të klubit, e kanë analizuar, kanë pasur biseda dhe ne menaxhmenti i klubit nuk është se kemi pasur ndikim në atë punë”, theksoi Osmani.
E me punën e deritanishme të Munishit, Osmani thotë se drejtuesit janë të kënaqur, por paralajmëron se rezultatet janë ato që sigurojnë vazhdimësinë e secilit trajner në krye të Prishtinës.
“Te Prishtina është relativisht e thjeshtë, ke sukses, qëndron si trajner, nuk ke sukses, largohesh. Deri më tani është mirë, ndoshta në një moment të caktuar për shkak të disa rezultateve pozitive na u rritën edhe pritshmëritë dhe nganjëherë e humbim ndjenjën e realitetit ku jemi dhe sa kemi kapacitet. Përgjithësisht është mirë, por ka hapësirë për përmirësime… Ne jemi në garë edhe për kupë edhe për titull edhe për kualifikim”, ka shtuar Osmani.
Sa i përket afatit kalimtar të janarit, Osmani ishte shumë i qartë, Prishtina nuk do të blejë lojtarë të rinj.
“Për momentin nuk planifikojmë ndërhyrje në merkato, do t’i mbajmë ata lojtarë që i kemi, disa mund të largohen, disa janë larguar, disa mund të largohen në huazime, lojtarë më të ri të cilët nuk kanë minutazhën e mjaftueshme, por për merkato të janarit nuk mendojmë të bëjmë ndërhyrje. Në qershor pastaj të shohim varësisht ku jemi edhe në garat evropiane edhe në tabelë edhe në bazë të financave natyrisht edhe mund të bëjmë përforcime”, tha Osmani.
Në fund drejtori gjeneral i Prishtinës i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës dhe FFK-së që ta ndërrojnë tapetin në stadiumin “Fadil Vokrri”, sepse në të kundërtën, ata nuk do t’i zhvillojnë ndeshjet e sezonit pranveror.
“Kryetari i komunës ka thirrur një takim para disa muajsh me kryetarin e klubit tonë edhe me kryetarin e federatës, me sa e di, kryetari i federatës nuk ka shkuar në atë takim, por një zgjidhje duhet të bëhet. Tani fusha më është e papërdorshme, realisht nuk mund të zhvillohen gara më këtë fushë në pjesën e dytë të sezonit. Sigurisht federata si shfrytëzuesi kryesor dhe si përgjegjës për menaxhim do ta ndërrojë fushën dhe do të fillojë sa më shpejtë që është e mundur. Kjo nuk pret asnjë minutë në mënyrë që prej shkurtit ne ta kemi fushën e gatshme për zhvillim të garave. Ne nuk mund të bëjmë gara, e kemi diskutuar edhe me federatën edhe me pronarët e stadiumit, komunën. Nuk kemi mundësi të zhvillojmë gara jashtë stadiumit…Tapeti aktual duhet të ndërrohet”, ka deklaruar në fund Osmani.
Prishtina ka mbledhur 27 pikë pas 18 ndeshjeve në Superligën e Kosovës dhe pozicionohet si e treta në tabelë./

Back to top button