Ngecin hetimet për shqiptarin që njihet si ‘Eskobari i Ballkanit’

Prokuroria për Krime të Rënda ka mbi 15 muaj që ka nisur hetimet për Kelmend Balilin

Dosja e Kelmend Balilajt mbetet në vendnumëro. Shkak për këtë është bërë mosardhja e letër-porosisë me provat e plota nga autoritetet greke.

ABC News ka mësuar se edhe pse janë dërguar dy shkresa drejtësisë greke, ajo ende nuk ka sjellë materialet e plota të akt-ekspertimeve të drogës së bllokuar apo edhe provat e tjera të vlefshme për çështjen.

Për këtë fakt, Prokuroria për Krime të Rënda mësohet se ka vazhduar me zgjatjen e afateve hetimore duke mos kryer ndonjë veprim konkret për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes. Sipas prokurorisë, drejtësia greke ka sjellë në nëntor vetëm 12 fashikujt e kësaj dosje me përgjimet dhe prova shkresore për çështjen. Por nuk ka sjellë akt-ekspertimin e lëndës së sekuestruar, dëshmitë e të arrestuarve mes tyre edhe dy shqiptarëve Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, të cilët dyshohet se janë skafistët e nisur nga Shqipëria nga i pandehuri tashmë i shpallur në kërkim Kelmend Balilaj.

Gjithashtu, prokuroria pretendon se autoritet greke nuk kanë sjellë edhe dëshmitë e shtetasve greke, biznesmenëve me të cilët dyshohet se Balilaj mbante kontaktet për nisjen e sasive të ndryshme të drogës. Veç këtyre provave shkresore, mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk është shprehur edhe në lidhje me pasurinë e Kelmend Balilajt dhe të afërmve të tij. Prej muajsh, ka nisur një hetim pasuror ndaj tyre në bazë të ligjit Antimafia, por ende nuk ka një vendimmarrje nga prokurorët e çështjes për këtë fakt. Mos marrja e një vendimi për pronat, është arsyetuar për mungesë të kthimit të përgjigjeve nga institucionet e tjera, si hipoteka, bankat apo qendra e regjistrimit të bizneseve.

Nga ana tjetër, Prokuroria për Krime të Rënda ka mbi 15 muaj që ka nisur hetimet për Kelmend Balilin, me dyshimin se është pjesë e një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi dhe më pas drejt vendeve të BE-së. Për llogari të kësaj dosje, mësohet se autoritet greke kanë arrestuar 15 persona dhe që dyshohet se nga janari i 2014-s kanë trafikuar sasi të mëdha droge në vende të ndryshme të BE-së.

Back to top button