Ngjyrosen më shumë se gjysma e tabelave që u vendosen dje në Veri

Më shumë se gjysma e tabelave të cilat janë vendosur dje në Veri të Kosovës, që tregojnë emrat e vendbanimeve në gjuhën shqipe janë ngjyrosur gjatë natës.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për veri, Veton Elshani.

“Janë ngjyrosur më shumë se gjysma e tyre. Tash jemi duke i shly ngjyrat”, ka thënë Elshani për rtv21.tv.

Kujtojmë se tabelat me emërtimet e vendbanimeve në vendet e banuara me shumicë serbe në komunat veriore të enjten janë zëvendësuar me tabela në të cilat emri i vendbanimit shkruhej edhe në gjuhën shqipe.

Ministri Infrastrukturës, Liburn Aliu ka publikuar disa pamje ku shihej se janë larguar pllakat të cilat tregojnë emrat e vendbanimeve në gjuhën serbe dhe janë zëvendësuar me ato edhe në gjuhën shqipe.

Vendbanimet si Jarinjë, Banjskë, Soçanicë dhe Rudar që nga paslufta kanë qenë të shkruara vetëm në gjuhën serbe./21Media

Back to top button