Ngritet aktakuzë ndaj një zyrtari për falsifikim të dokumentit zyrtar

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet D.B., për shkak të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Sipas aktakuzës, nga data 15 tetor 2021-18 maj 2023, në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC) në Prishtinë, i pandehuri në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, një personi me inicialet M.D., shtetas i Shqipërisë, i kërkuar nga Interpoli për narkotikë, i ka sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N., duke e pajisur me letërnjoftimin dhe pasaportën e Kosovës me të dhënat e të dëmtuarit A.N., siç ka vepruar edhe me 7 persona të tjerë, duke i keqpërdorur të dhënat personale të të dëmtuarve, në të cilat i pandehuri kishte qasje.

Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë. Gjithashtu ka propozuar që të njëjtit t’i shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbime publike.

Back to top button