Ngushëllimet e liderëve shtetëror për vdekjen e Arian Dacit

Ngushëllimet kanë shprehur presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli, kryeministri Haradinaj, ministrat Gashi, Lluka, Shala e të tjerë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar për vdekjen e zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci. Thaçi është shprehur i pikëlluar dhe i ka shprehur ngushëllime familjes Daci. “Me pikëllim të madh kam pranuar lajmin për vdekjen tragjike të zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci, djalit të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe mikut tim, Nexhat Daci. Në këto momente shumë të rënda, si President dhe mik i familjes, në emrin tim dhe qytetarëve të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta kryetarit Daci dhe familjes së tij.”, ka shkruar thaçi në Facebooki

+  +  +

Kryeparlamentari Kadri Veseli e ka quajtur lajm pikëllues vdekjen e Zëvendësministrit të Diasporës, Arian Dacit, në fatkeqësinë e ndodhur sot në Brezovicë. Veseli i ka shprehur ngushëllime familjes Daci me rastin e humbjes së djalit të tyre. “Lajm tejet pikëllues vdekja e Zëvendësministrit të Diasporës. Në emrin tim dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime Akademik Nexhat Dacit dhe familjes së tij për humbjen e birit të tyre”, ka shkruar Veseli në facebook.

+  +  +

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas rënies së ortekut të borës sot në Brezovicë, nga i cili ka humbur jetën zëvendësministri i diasporës, Arian Daci. “I tronditur nga fatkeqësia në Brezovicë, ku humbi jetën Arian Daci, zëvendësministër i diasporës, kurse mbeti i lëndur Ardian Bakalli”, ka shkruar Haradinaj në facebook, duke i shprehur ngushëllime familjes. “Ngushëllimet më të sinqerta mikut tim, Akademik Nexhat Dacit, familjes së ngushtë të Arianit si dhe miqve e kolegëve të tij”, ka shtuar Haradinaj.

+  +  +

Ministri i Diasporës , Dardan Gashi i ka shprehur ngushëllime familjes Daci për vdekjen e zëvendësministrit të kësaj ministrie, Arian Daci. Gashi e ka quajtur këtë si lajm të tmerrshëm dhe ka vlerësuar lart punën dhe personalitetin e Dacit. “Me dhimbje të thellë mësova lajmin për vdekjen tragjike të Arianit në Brezovicë. Ky lajm është sa i papritur aq edhe shokues e i tmerrshëm. Ariani përpos që ishte koleg, ishte dhe mik i dashur. Ishte njeri që deshti këtë vend, deshti kolegët e tij e më së tepërmi deshti jetën. Shkuarja e tij kaq e hershme në amshim është një humbje e tmerrshme për ne si kolegë, për miqtë e shumtë e për familjen e tij të cilëve ju shpreh ngushëllimet e mija më të thella në këto momente shumë të vështira. Gjithmonë do ta kujtojmë Arianin si shok të mirë, punëtor të zellshëm, zemërmirë dhe të dashur. Do të na mungosh të gjithëve mik!

+  +  +

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shala ka reaguar pas rënies së ortekut të borës sot në Brezovicë, ku ka vdekur zëvendësministri i diasporës, Arian Daci. Shala përmes një postimi në facebook është shprehur se vdekja tragjike e Arian Dacit ka tronditur jo vetëm familjen, por të gjithë qytetarët. “Me dhimbje shumë të thellë mora lajmin për vdekjen e zëvendësministrit të Diasporës, mikut tim Arian Daci.  Kjo vdekje tragjike e Arianit ka tronditur jo vetëm familjen e tij, jo vetëm ne miqtë e tij, por të gjithë qytetarët e vendit.  I shprehi ngushëllimet e mija më të sinqerta për këtë humbje të madhe, akademik Nexhat Dacit, familjes, miqve dhe gjithë bashkëpunëtorëve”, ka shkruar Shala në facebook.

+  +  +

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka shprehur ngushëllime për vdekjen e zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci. Duke u shprehur i pikëlluar Lluka e ka vlerësuar lart punën e Dacit për promovimin e vendit. “Shumë i pikëlluar me humbjen e mikut dhe zv. Ministrit të diasporës, Arian Daci, gjatë një orteku sot në Brezovicë. Ariani ishte shumë i përkushtuar në promovimin e vendit, në zhvillimin e raporteve me diasporën dhe fliste me pasion rreth politikave ambicioze për zhvillim të Kosovës përmes diasporës. Familjes Daci, miqve të Arianit, kabinetit qeveritar dhe stafit të Ministrisë së Diasporës i shprehu ngushëllimet më të sinqerta. Pusho i qetë Arian!”, ka shkruar Lluka në Facebook.

 

Back to top button