Nis “ArchiTech Festival”, synon ridizajnimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet

 

Me ceremoni zyrtare është bërë hapja e festivalit “ArchiTech”, e që për qëllim ka ridizajnimin e hapësirave të gjelbra në Komunën e Prishtinës.

Ky festival është organizuar nga Kuvendi Rinor i Prishtinës dhe është përkrahur nga Komuna e Prishtinës, që në kuadër të tij do të hulumtohen temat që lidhen me hapësirat publike, hapësirat e gjelbra dhe objektet ekologjike dhe trashëgimia arkitekturore.

Nga punëtoritë që do të mbahen do të realizohen 9 projekte, e nga të cilat në fund do të përzgjidhen 3 projekte që plotësojnë më së shumti kriteret për implementim.

Kryetarja e Kuvendit Rinor të Prishtinës, njëkohësisht drejtoresha e “ArchiTech Festival”, Kosovare Sadiku, tha se synim kryesor e kanë përfshirjen e qytetarëve ne dizajnimin e hapësirave publike.

“Të punojmë tre muaj sa zgjat festivali deri në nëntor të këtij viti me një temë të rëndësishme sa i përket hapësirave të përbashkëta. Veçantia e këtij festivali është fakti që ne si pikë kryesore do të kemi përfshirjen e qytetarëve, duke mos lënë anash qytetarët në dizajnimin e hapësirave publike. Përgjatë këtij festivali neve synojmë fuqishëm që të nxisim debat të gjerë duke u përqendruar në të gjithë përjetimin e qytetit për të treguar që problemet e arkitekturës nuk janë probleme që iu përkasin vetëm arkitektëve, mirëpo janë probleme të cilat i përkasin apo i prekin interesat e të gjithë qytetarëve. Është mjaftë e rëndësishme që përmes këtyre diskutimeve të arrihet një vetëdijesim më i lartë sa i përket përfshirjes së qytetarëve, mirëpo edhe mirëmbajtjes së këtyre hapësirave të përbashkëta”, tha ajo.

Ajo u shpreh se përfshirja e qytetarëve synon që ato hapësira pastaj të mirëmbahen nga ta.

“Pronat e përbashkëta nuk përfshijnë vetëm hapësirat e gjelbra, mirëpo hapësirat e gjelbra do të trajtohen më fuqishëm në mënyrë që të arrijmë edhe ti ridizajnojmë ato pak hapësira të gjelbra që janë, mirëpo edhe të arrijmë në mirëmbajtjen e këtyre hapësirave. Kemi edhe hapësira që janë të vrazhda e siç është për shembull sheshi i kryeqytetit e që mbetet hapësira më e madhe dhe më e frekuentuar publike”, tha jo.

Në anën tjetër, përfaqësuesi nga Ndërmarrja Publike Banesore, Genc Blakaj, ka prezantuar disa nga dizajnimet që do të bëhen në lagjet e kryeqytetit.

Ai tha se në këto dizajnime përfshihen hapësirat publike, zonat rekreative dhe objektet banesore.

“Shihet një pamje e lagjes Model ose e lagjes banimi i përballueshëm, e ajo çka vlen të ceket është një trajtim adekuat i hapësirës publike që ne e kemi trajtuar me hapësira ujore që shpesh herë janë të domosdoshme dhe na mungojnë në hapësirat tona në qytetin tonë. Mandej janë të inkuadruara shtigjet për ecje, shtigjet për biçikleta dhe hapësirat për rekreacion që shpesh herë na ndodh që në hapësirat tona ekzistuese na mungojnë dhe nuk i kemi”, tregoi ai.

Festivali “ArchTech” punimet do t’i ketë deri në muajin nëntor dhe është përkrahur nga Komuna e Prishtinës./kp

Back to top button