Shkup: Nis gjysmëvjetori i dytë, por hall me covidin!

Gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nisi me prezencë fizike dhe me maska. Ndonëse sindikata e Arsimit dhe ambasada e fëmijëve “Megjashi” kërkuan që mësimi të zhvillohet nga distance, kërkesa e tyre nuk u mor parasysh.
E në pyetjen se sa nxënës dhe mësimdhënës janë pozitivë dhe nuk janë paraqitur në ditën e parë në mësim, ministri i Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, nuk kishte informacione.
“Aktualisht? Numër të saktë… Unë nga Komisioni që kam komunikuar më është thënë që numri i infektimeve nuk është i lartë që mësimi të fillojë me prezencë fizike, vetëm kjo më është dhënë”, tha Shaqiri.
E për numrin e nxënësve dhe arsimtarëve të infektuar nuk kanë njohuri as autoritetet shëndetësore.
“Nuk e di e kemi këtë informacion. Informacion të tillë nuk kemi sot”, tha Aleksandar Petliçkovski – kryetar i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.
Por ajo që dihet është se do të bëhet skrining apo testim për Covid-19 te nxënësit. Skriningu do të përfshijë rreth 20 mijë nxënës, ndërsa do të realizohet me teste të shpejta. Qëllimi është për të parë përhapjen e virusit në këto grupmosha, tha Petliçkovski. Mirëpo sa e detektojnë variantin Omicron testet e shpejta.
“Testet e shpejta kanë më pak specificitet për ta detektuar Omicronin se sa variantin Delta, mirëpo ky specifitet lëviz diku ka 50% kështu që do të jenë dobishme”, tha më tej Petliçkovski.
Në lidhje me mbajtjen e maskave Shaqiri thotë se për atë vendos Komisioni për sëmundje ngjitëse. E kryetari i ri i Komisionit Dr. Aleksandar Petliçkovski tha se duhet të vazhdohet me të njëjtat protokolle si një gjysmëvjetorin e parë, pasi përhapja e virusit mes nxënësve është e ulët. Për këtë arsye tha se kanë rekomanduar që nxënësit të kthehen në bankat shkollore. Përndryshe nëse një nxënës rezulton pozitiv, duhet të shkojnë në izolim vetëm shokët e klasës që ulen rreth atij nxënësi dhe varësisht nëse kanë simptoma duhet edhe të testohen./TV21

Back to top button