Nis periudha e rivotimit nga diaspora për Dragashin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka informuar të gjithë votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale në komunën e Dragashit se ka filluar periudha e përsëritjes së votimit për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të kësaj komune.
Fletëvotimet do të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 13 dhjetor 2021.
Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1.090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021.
Sipas rezultateve preliminare të 17 nëntorit nga KQZ-ja, në Dragash ka udhëhequr Shaban Shabani i PDK-së me 5.648 vota, 47 më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini. Por, pas numërimit të votave nga diaspora, Xheladini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54, duke bërë që rezultati të përmbyset./21Media