Nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve të Zveçanit dhe Zubin Potokut

Qytetarët e Zubin Potokut dhe të Zveçanit sot kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve në peticionin për shkarkimin e kryetarëve të këtyre dy komunave.

Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Ai njoftoi se në këtë komunë ka filluar nënshkrimi i peticionit. Zeqiri tregoi se nga komuna nuk është lejuar të shfrytëzohet salla e sportit për mbajtjen e këtij procesi. Por i njejti proces po mbahet në hapësirën jashtë sallës.

“Po, është para sallës së sportit në një hapësirë. Ka fillu me u mbajtë, gjendja është e qetë. Ka hapësirë të mjaftueshme jashtë sallës”, tha Zeqiri për portalin rtv21.tv

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, qytetarët e Zveçanit duhet të mbledhin hiç më pak se 1 mijë e 411 nënshkrime. ndërsa, për të shkarkuar Zeqirin, KQZ ka njoftuar se duhen 1 mijë e 346 nënshkrime.

Peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës po mbahet në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.

Nëse KQZ-ja konfirmon se peticioni ka qenë i suksesshëm, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarëve. Ky votim duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohen 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Më pas, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat nga 30 deri në 45 ditë që të shpallë zgjedhjet e parakohshme./21Media

Back to top button