Nis projekti 24 milionësh

Krenohet kryeministri Haradinaj dhe ministri Lekaj

Sot filluan punimet në segmentin e ri, Lum Madh-Gojbule, të rrugës Nacionale M2, Prishtinë – Mitrovicë, “Rruga e Tre Heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”.

Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Rexhep Kadriu në një prononcim për portalin rtv21.tv tha se ky segment i kësaj rruge ka gjatësi afro 10 kilometra dhe kosto e ndërtimit është 24 milionë euro.

Bashkë me këtë segment dhe pjesën e mbetur deri në përfundim të “Rruga e Tre Heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”, projekti kap vlerën rreth 50 milionë euro.

Kadriu për portalin rtv21.tv bëri të ditur se ky projekt është financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim (SFD) dhe Fondi i OPEK-ut për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID).

Zëvendësministri i MI-së, Rexhep Kadriu tha se ky projekt është paraparë të zgjatë 24 muaj.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve të rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se po ndërtojnë rrugë që i lidhin qytetarët.

“Nuk ka diçka më të lumtur kur Qeveria e Kosovës investon në faktorin e zhvillimit ekonomik. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur ne po ndërtojmë rrugë që i lidhin qytetet. Ne si Qeveri jemi të përkushtuar që të ndërtojmë rrugë me standarde evropiane. Ne jemi të përkushtuar që në çdo hapësirë të Kosovës të jemi dhe të mbështesim kërkesat e qytetarëve”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, deklaroi se vonesa në ndërtimin e kësaj rruge qytetarëve u ka shkaktuar shumë probleme.

Sot është një ditë e gëzuar për qytetin e Vushtrrisë, qyteti më i vjet po bashkohet me autostradë me Prishtinën. Vushtrria dhe qytetarët e saj janë të njohur si njerëz punëtor dhe kanë pasur vështirësi lëvizje në këtë aks rrugor. Kërkesa ime e vetme është që kjo rrugë të përfundojë në afatin ligjor dhe të mos kemi vonesa. Nga ana e komunës do të ofrojmë çdo mbështetje për këtë projekt”, tha ai.

Në këtë ceremoni ka marr pjesë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u shpreh se me këtë projekt po përfundon një nga rrugët më strategjike të vendit.

“Më vjen shumë mirë që pas një periudhe kohore të pritjes më në fund jemi në ditën e nisjes. Po nisim me pjesën e ndërtimit të segmentit të tashëm, por që këtë vit vetëm i ofrohemi Mitrovicës. Dihet se nuk do të ketë ndërprerje dhe do të vazhdojë deri në Mitrovicë. Është një nga rrugët më strategjike të vendit, po ashtu është një arterie që mund të lidh vendin me ekonominë e Serbisë e të vendeve tjera. Kuptohet për të arritur deri tek kjo ditë ne do t’i përfundojmë përgjegjësitë, do të hapim rruga. Po ashtu i bëj thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të na ndihmojnë në atë që nuk është në kapacitetin tonë, që të arrihet një marrëveshje me Serbinë”, tha Haradinaj./21Media

Back to top button