Nis rrugëtimin ‘Flaka e Janarit 2022’
Sot ka nisur manifestimi i edicionit të 31-të i “Flaka e Janarit”, në Gjilan.
“Flaka e Janarit” është manifestimi më unik në trojet shqiptare dhe këtë vit mbahet për 31-tën herë me radhë, ku përgjatë tri javëve rresht, do ta bëjë Gjilanin kryeqendër të kulturës kombëtare, me aktivitete të shumta, përfshirë ato të artit dramatik, artit pamor, atij muzikor dhe letrar.
Për sot është paraparë edhe “Ndezja e Flakadanit të Flakës së Janarit 2022”, para Teatrit të qytetit të Gjilanit (17:00).
Aktiviteti i radhës do të jetë “Akademia e Flakës”, më 17 janar, në ora 17:00, në Teatrin e qytetit në Gjilan e më pas, në ora 19:00, në Galerinë e qytetit, do të hapet Ekspozita Kolektive e Arteve Pamore, në kuadër të “Penelit të Flakës”.
“Flaka e Janarit”, vazhdon me ekspozitë memoaresh e kujtimesh – ”Dhoma e Kadriut, Jusufit e Bardhoshit”, që do të mbahet më 19 janar, në ora 16:00, në Muzeun Etnologjik të qytetit.
Me 20 janar, ora 19:00, në Teatrin e qytetit do të mbahet ekspozita e artit bashkëkohor – Rezistencë / Peneli i Flakës.
“Flaka…” vazhdon tutje me Akademinë Përkujtimore për Presidentin Dr. Ibrahim Rugova, që do të mbahet më 21 janar, në ora 14:00, në Teatrin e qytetit.
Nga 23-28 janar mbahet Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës” (19:30).
Ndërkohë që, më 26 janar, ora 12:00, në Bibliotekën e qytetit mbahet tryeza letrare: Poezia e zgjedhur e Jusuf Gërvallës.
Më 29 janar, ora 17:00, mbahet Festivali i këngës për fëmijë “Xixat e Flakës” në sallën e Teatrit të qytetit.
Ndërkaq, në ditën e fundit, më 31 janar, zhvillohen dy aktivitete, në Bibliotekën e qytetit, Ora e Madhe Letrare “Pena e Flakës” (16:00) si dhe Koncerti i Muzikës Popullore “Fest Flaka” (19:00) – Teatri i qytetit./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?