Vëllai i Liridona Ademajt kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën

(Lajm i përditësuar)
Vëllai i Liridona Ademajt kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën
Leonard Ademaj ka deklaruar se po bëhen tre vite nga vrasja e Liridona Ademajt dhe se për familjen procesi ka qenë i vështirë për t’u përballuar.
Ai tha se sipas familjes dhe asaj që është paraqitur gjatë procesit gjyqësor, Naimi Murseli e ka organizuar vrasjen së bashku me Kushtrim Kokallën, duke zgjedhur Granit Plavën si ekzekutor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Është e qartë se Naimi ka kërkuar vrasjen e Liridonës përmes Kushtrimit, i cili më pas ka gjetur Granitin për ta kryer aktin”, tha Ademaj.
Ai shtoi se takimi i parë me fëmijët e viktimës ka ndodhur rreth tetë muaj pas ngjarjes dhe se ata fillimisht nuk e kanë ditur se si ta përballonin situatën.
Sipas tij, fëmijët janë shprehur kundër babait të tyre dhe edhe pas gati tre vitesh nuk pranojnë të komunikojnë me të.
Në fund, Ademaj kërkoi që të gjithë të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm.
Prokurorja kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë
Prokurorja Javorka Perlinqeviq ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Sipas Perlinqeviq, është vërtetuar se Naim Murseli ka vepruar për përfitim financiar apo moral, duke e simuluar një grabitje në të cilën viktima është trajtuar si “dëm kolateral”, ndërsa sipas pretendimeve të aktakuzës, ai ka marrë pjesë në organizimin dhe planifikimin e vrasjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancë është theksuar se vrasja është kryer nga i akuzuari Granit Plava, i cili ka shtënë me armë që dyshohet se është siguruar përmes Naim Murselit, ndërsa një tjetër i akuzuar ka ndërmjetësuar në sigurimin e armës dhe kontaktin mes personave të përfshirë.
Ajo thekson se të akuzuarit ngarkohen edhe për moslajmërim të veprës penale dhe kryerësve të saj, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në kërkesën përfundimtare, Perlinqeviq i ka propozuar gjykatës shpalljen fajtorë të të akuzuarve, duke vlerësuar se veprimi, mënyra e kryerjes, sjellja pas ngjarjes dhe tentativat për manipulim publik rëndojnë pozitën e tyre, ndërsa sipas saj nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese.
Prokurorja ka kërkuar që të shqiptohet dënimi maksimal i paraparë për veprën penale “vrasje e rëndë”, respektivisht burgim i përjetshëm.
Nis seanca, fjala përfundimtare lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës kanë arritur Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademaj.
Në seancën e sotme është paraparë paraqitja e fjalëve përfundimtarë të të gjitha palëve.
I pranishëm në seancë edhe vëllai i Liriona Ademaj, Leonardi bashkë me disa familjarë të tjerë.
Sot jepen fjalët përfundimtare për rastin e Liridona Ademajt
Të premten do të jetë seanca e fundit për vrasjen e Liridona Ademajt, ku në këtë seancë pritet të thuhen fjalët përfundimtare.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Sipas aktakuzës, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.
I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin.
E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës, Liridona Ademaj.