Nis subvencionimi i kursimtarëve të energjisë në Kosovë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se tashmë është procesuar dhe reflektuar në llogaritë e konsumatorëve pagesa e subvencionit për faturën e muajit shtator të energjisë elektrike, për të gjithë ata që kanë kursyer, sipas kushteve të masës mbështetëse.
“Kush kursen energjinë elektrike, fiton dyfish!”, ka thënë Murati.
Ai ka theksuar se të gjithë përfituesit, vlerën e subvencionit mund ta shohin të reflektuar edhe në llogarinë online me furnizuesin.
Murati ka thënë se secili konsumator aktiv (fatura mbi 5 euro), që ka kursyer sasinë e kWh me së paku 5% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, përfiton subvencionim të faturës aq sa dyfishi i përqindjes së kursimit.
Ai ka bërë të ditur se maksimumi i subvencionit për një muaj, është vlera e faturës së muajit përkatës, apo tavani 50 euro, cilado të jetë më e ulët.
“Shembull: Nëse në shtator 2021 keni shpenzuar 1,000 kWh, ndërsa në shtator 2022 keni shpenzuar 800 kWh, i bie që keni kursyer 20% të energjisë elektrike. Subvencioni llogaritet duke dyfishuar përqindjen e kursimit, pra 2×20%=40%, dhe aplikohet ne vlerën e faturës së muajit aktual. Pra nëse fatura e shtatorit është 40 euro, për shkak se keni kursyer, ju përfitoni subvencion 40% x 40 euro, apo 16 euro”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai ka thënë se për muajin shtator, kriterin për subvencion e kanë përmbushur 167,571 konsumatorë rezidencialë të energjisë elektrike./21Media

Back to top button