Nisi edicioni i 20-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës
Universiteti i Prishtinës sot nisi edicionin e 20-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit universiteti veror po mbahet në formë virtuale, por ashtu si vitet e kaluara ky program ka bashkuar rreth 300 studentë vendorë dhe ndërkombëtarë nga vendet si: Franca, Gjermania, Suedia, Turqia, Shqipëria, Egjipti, Serbia dhe Mali i Zi.
Në fjalën e tij, rektori, prof. dr. Naser Sahiti u shpreh i nderuar që po përshëndet nisjen e edicionit të 20-të të UVP-së, i cili paraqet njërin ndër projektet më serioze në fushën e shkëmbimit akademik dhe kulturor në vendin tonë.
”Pjesëmarrjen tuaj në UVP e konsideroj si një mundësi të artë për të përfituar njohuri nga profesorë dhe intelektualë nga vende të ndryshme të botës. Prandaj, ju ftoj që të nxirrni më të mirën nga ky universitet veror, duke ndihmuar kështu veten dhe kolegët tuaj që të zgjeroni njohuritë përmes shkëmbimit ndërkulturor, i cili, në të ardhmen, do t’ju shërbejë shumë për ngritje profesionale dhe personale”, tha rektori Sahiti për studentët pjesëmarrës në këtë edicion të UVP-së.
Edicioni i 20-të i UVP-së ka për qellim që t’i ofrojë mundësinë studentëve pjesëmarrës nga e mbarë bota që të përfitojnë nga metodat e reja të ligjërimit dhe kërkimit shkencor, si dhe të ndajnë përvojat dhe njohuritë e tyre në një rrafsh virtual.
Në këtë edicion të UVP-së gjithsej 14 kurse do të ligjërohen nga 14 profesorë vendorë dhe po aq ndërkombëtarë, të cilët vijnë nga shtetet si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Madhe, Rumania, Shqipëria, Greqia, Bullgaria, Polonia, Turqia dhe Kroacia./21Media