Nisi seanca gjyqësore ndaj 30 prej 35 të arrestuarve gjatë aksionit në Karaçevë

 

Në Gjykatën e Gjilanit sot ka filluar seanca gjyqësore ndaj 30 prej 35 personave që janë arrestuar të premten në mbrëmje në Karaçevë të Kamenicës.

Në mesin e 35 të arrestuarve që sot kanë dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake janë edhe 12 policë, të arrestuar për kazinotë ilegale në Karaçevë.

Prokurorja e rastit, Rozelida Manastiri ka kërkuar nga Gjykata që të arrestuarit për kontrabandë e lojëra të fatit në Karaçevë të dërgohen në paraburgim për një muaj në mënyrë qe të vazhdojnë të hetohen gjatë asaj periudhe.

Ekipe të Inspektoratit Policor të Kosovës kanë qenë duke përcjellë zyrtarët policorë të arrestuar për ndihmë në kontrabandë dhe në lojëra të fatit në Karaçevë, të cilët kanë dalë para Gjykatës në Gjilan.

Gjatë ditës së djeshme është arrestuar edhe zyrtari policor me inicialet F.L., i cili natën e aksionit në Karaçevë ishte arratisur, ndërsa dje kishte vendosur që t’i përgjigjej organeve të rendit.

Karaçeva është konsideruar një zonë e paprekur nga organet e rendit të Kosovës për shkak që e njëjta është nën mbikëqyrje të KFOR-it, por të premten institucionet e Kosovës kanë treguar se kjo zonë nuk është më e paprekshme, derisa janë rrënuar 12 objekte, të cilat funksiononin si kazino ilegale në po këtë zonë./kallxo

Back to top button