Nisin konsultimet për formimin e qeverisë së re në Itali

 

 

Partitë politike në Itali nisën të mërkurën konsultimet me presidentin e vendit për të përcaktuar qeverinë e re pas dorëheqjes së kryeministrit, Giuseppe Conte.

Për tri ditë, grupimet më të mëdha, “Lëvizja 5 Yjet” e Vito Crimi-t, “Lidhja” e Matteo Salvini-t, Partia Demokratike e Nicola Zingaretti dhe Forca Italia e ish-kryeqeveritarit, Silvio Berlusconi, do të thirren bashkë me partitë e tjera të vogla për gjetjen e mazhorancës së re.

Kriza në qeverisje detyroi Conte-n të martën t’i ofrojë dorëheqjen kreut të shtetit, Sergio Mattarella.

10 senatorë reaguan duke formuar një grup parlamentar me objektivin për të konfirmuar Conte-n edhe një herë në udhëheqjen e qeverisë.

Opozita, ndërkohë, i ka sytë nga skenari tjetër, te zgjedhjet e reja, që sipas sondazheve e nxjerrin atë fituese.

“Kryeministri Conte është duke kërkuar senatorë natën për mbijetesë, dhe deri të premten ne do flasim vetëm për këtë. Mattarella-s do i themi se nuk e pranojmë këtë trafikim të turpshëm votash dhe gjërat e tjerat mund t’i diskutojmë pasi ky njeri të mos jetë më në kryeministri.”- thotë Salvini.

“Lëvizja 5 Yjet” dhe demokratët kanë shpresë se mund ta mbajnë pushtetin, por kjo do kërkonte sërish ndihmën e ish-aleatit, Matteo Renzi, që doli nga koalicioni pak javë më parë.

Renzi e provokoi krizën politike me arsyen e administrimit të pandemisë, teksa vendi pret të miratojë një plan financiar mbi 200 miliardë euro për t’u rimëkëmbur nga pasojat e COVID-19./oranews

Back to top button