Nitaj: Arsimi as që ka sindikatë

“I ka disa njerëz që në emër të arsimit flasin e arsimimi i tyre lë shumë mangut”

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj ka shprehur dyshime se sindikata e arsimit përfaqëson në të vërtetë arsimin.

Madje sipas Nitajt, arsimi nuk ka sindikatë.

“Dyshoj se këta të sindikatës së arsimit e përfaqësojnë arsimin. Realisht arsimi as që ka sindikatë. I ka disa njerëz që në emër të arsimit flasin e arsimimi i tyre lë shumë mangut! Prej se i mbaj mend, në çdo fillimviti, këta kërcënojnë me greva dhe gjithmonë kërkojnë pare. Kurrë nuk është mjaft për arsimin e as për pagat e tyre, por punëtorët e arsimit në Kosovë nuk janë as për një grimcë më keq se sa punëtorët e sektorëve të tjerë publik”, ka shkruar ai në llogarinë e tij “Facebook”.

Ai ka propozuar që “këta far sindikalistësh është mirë që të zbresin me këmbë në tokë”.

“Sapo kaloi ligji për punëtorët e arsimit të viteve 90-të, sapo janë bërë propozime për rritje pagash të tyre në ligjin për pagat…e këta hop e në televizor, hop e në grevë! Pagat e mësuesve në Kosovë, janë ndër më të lartat në rajon dhe nuk jam aspak kundër që të rriten edhe më, por gjithçka në kohën e vet”, përfundoi ai.

Ndërkohë që greva e mësimdhënësve nga 14 janari po vazhdon në nivel të vendit./21Media

Back to top button