Klevis Kapllani është 33 vjeçari që sot u gjet i pajetë në makinën e tij në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës (Shqipëri). I riu u gjet nga grumbulluesi i qumështit, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Në njoftimin zyrtar policia u shpreh se viktima u gjet i pajetë rreth orës 06:00 të mëngjesit, 15 shtator, por hetuesit dolën në përfundimin se ekzekutimi i të riut është bërë gjatë natës.

”Më datë 15.09.2020, rreth orës 06:00, në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës, është gjetur pa shenje jete në mjetin e tij, dyshohet si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit,  shtetasi K.K., 33 vjeç”, informon policia.

Ekzekutimi afër banesës- Kapllani ka qenë duke konsumuar një kafe tek lokali i fshatit ndërsa rreth mesnatës u nis drejt banesës së tij, e cila ndodhet 100 metër nga vendi ku u qëllua për vdekje.

Autorët që sipas policisë ishin dy persona e kishin mirë menduar ekzekutimin e 33 vjeçarit. Ata fillimisht i zënë rrugën me shkurre për të penguar kalimin e tij ndërsa me pas ata u fshehën pas një godine për disa minuta dhe e qëlluan me pas me të paktën 10 plumba.

Vrasja me silenciator- Familjarët por dhe banorët e zonës i thanë policisë që nuk kanë dëgjuar të shtëna, çka për hetuesit janë ngritur dyshimet se 33 vjeçari u vra me pistoletë me silenciator.

33 vjecari është mbajtur nën vëzhgim prej disa ditësh nga autorët, të cilët kanë monitoruar lëvizjet e tij. Të afërmit e viktimës i thanë policisë që kishin parë një person të dyshimtë i cili qëndronte në rrugicë, i cili dyshohet të jetë dhe një prej autorëve.

Pistoleta në makinë – Në vendngjarje policia gjeti edhe një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua. Do jetë ekspertiza që do zbardhë nëse ka qenë e viktimës apo autorëve, por për hetuesit konsiderohet si provë e fortë për zbardhjen e ngjarjes.

Pista e hetimit – Pista kryesore që policia po heton është e shkuara e 33 vjeçarit, i cili rezulton me precedent penal, pasi ka shlyer dënimin me burg për trafik të lëndëve narkotike. I riu rezulton i dënuar në Itali për trafik droge. Ai kishte 2 vjet që ishte kthyer në Shqipëri, ku nuk rezulton të ketë pasur dhe konflikt me persona të tjerë.

Pas ngjarjes së rëndë familjarët hapën dyert e mortit, ndërsa daja i viktimës kërkon që ngjarja të zbardhet sa më shpejt.

Dëshmitë– U ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor i përbërë me Specialistët të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Specialistë të Komisariatit të Policisë Kavajë dhe nën drejtim e Prokurorisë vijon puna për fiksimin e çdo prove materiale që do çonte në  zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Hetuesit vijuan përgjatë gjithë paradites se të martës, marrjen e dëshmive dhe sekuestrimit të kamerave të sigurisë të bizneseve në rrugën kryesore çka mund të ndihmojë për identifikimin e autorëve./oranews