Një ditë me të burgosurit që punojnë jashtë burgut në kompani private dhe me rroga mujore

Një pjesë e të burgosurve në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë të Vushtrrisë, të cilët po vuajnë dënimin e tyre, ditën e kalojnë sikur të ishin jashtë. Nga 110 të dënuar, 34 prej tyre janë punësuar në profesione të ndryshe dhe dalin jashtë burgut në kompani të ndryshme private, gjithnjë duke u kthyer në mbrëmje në këtë qendër korrektuese.

Duke filluar nga procedurat e udhëzimit administrativ që i janë përmbajtur të burgosurit, ata që nga ora 06:00 e mëngjesit nisen drejt vendit të punës së tyre. Dikush me transport privat e dikush me transport publik, secili nga ata ushtron profesionin që ka zgjedhur me nga tetë orë punë dhe pauzën një orësh deri në fund të orarit, për t’u kthyer prapë në pavijonin e Smrekonicës.

I burgosuri që tashmë është bërë gati për t’u nisur në punë, tregon se puna po ua lehtëson edhe shpagimin e dënimit në burg.

Ai tregon se punon 8 orë në ditë në një qumështore jashtë burgut dhe vikendin e ka pushim.

“Ne jemi këtu qe tetë muaj gati, ditën e nisim nga mëngjesi gjashtë, e rregullojmë vendin, e rregullojmë aty dhe shkojmë në punë 06:30 nisemi nga këtu shkojmë në punë. Tetë orë punojmë, jemi qe dy muaj, shumë është e mirë, koha shumë mirë, krejt në rregull është, këtu sa i përket burgut nuk ka më mirë se këtu. Edhe në fabrikë, edhe çdo vend deri këtu shumë mirë. Ditëve të vikendit pushim, e kemi punën prej 08:00 deri në 16:00”, tha ai.

Po ashtu, edhe një tjetër i burgosur tha se gjatë kohës sa është në burg ai ka zgjedhur të punojnë në mbjelljen e perimeve, derisa shton se këtë punë e bënë me shumë vullnet dhe njëkohësisht ka edhe pagesa që merr nga burgu.

“Unë punoj qe tre muaj në serrë, gjatë ditës punojmë afërsisht katër ose pesë orë, punojmë çdo ditë në serrë, kalojmë mirë. Punoj me gjithë shpirt sikur me qenë në shtëpi time, kemi pagesa mujore që i bëjnë burgu rregullisht për gjithë punëtorët…. Deri në fund do të vazhdoj të punoj”, tha ai.

Ndërsa, një tjetër i burgosur tha se punon në burg por po pret edhe procedurat e udhëzimeve për të filluar punë në një kompani jashtë burgut me profesionin si menaxher i energjisë elektrike.

“Unë tash kam ardhur tash një muaj, zgjohemi në 08:00 mëngjesit, vazhdojmë me mëngjesin 08:00 dalim në punë, shohim çka ka nevoja për të rregulluar diçka, pastaj shkojmë në drekë dhe mbas dite vazhdon procedura çka ka nevojë. E kemi fitnesin, unë vazhdimisht shkoj në fitnes pas orës 04:00, kemi çka luajmë shah, dikush letra shëtitmi nga pak edhe kaq…. Është një pagese vogël simbolike, shpresojmë që ka nevojë të rregullojë. Tash punojmë një kohë, një muaj këtu, dikush vazhdon edhe jashtë, është procedura që dokumentacioni rregullohet me ndonjë firmë private….. Jam në procedurë për me punu jashtë, unë si menaxher i një projekti për elektrikë, për energji elektrike qaty ka me punu”, tha ai.

Kurse, drejtori i Qendrës Korrektuese në Smrekonicë, Agron Thaçi tregon se të gjithë të burgosurit që i plotësojë kriteret, iu mundësohet të punojnë jashtë burgut në kompani private.

Drejtori i burgut tregoi se bashkëpunimi në mes të burgosurve dhe kompanive private ku ata punojnë, monitorohet nga drejtoria e burgut dhe se deri tani nuk ka pasur asnjë mosmarrëveshje në mes dy palëve.

“Në Qendrën Korrektuese janë 110 të dënuar në vuajtje të dënimit, prej tyre në punë në kompani private janë të angazhuar jashtë institucionit 34 të punësuar. Të dënuarit e kanë përzgjedh me vetdëshirë, me kërkesën e tyre, e jashtë institucionit në kompani private, ku janë të punësuar. D.m.th familja tyre janë interesuar dhe i kanë gjetur vendin e punës ose vet të dënuarit ku kanë pasur ndonjë biznes ose kush ka shprehur dëshirë për me i punësuar këta të dënuarit…..Duke u bazuar në udhëzimin administrativ nga drejtësia, të dënuarit pamarrë parasysh veprës, të gjithë të dënuarit që i plotësojnë kriteret, së pari duhet të kenë 1/2 e dënimit që e kanë vuajtur dhe të jenë shfrytëzues të benificioneve. Të njëjtit parashtrojnë kërkesë që trajtohet nga paneli dhe me aprovimin e tyre, të dënuarit dalin jashtë institucionit por paraprakisht kompania private nënshkruan marrëveshje me institucionin, mes kompanisë të dënuarit dhe institucionit…. Ne si institucion brenda i bëjmë monitorimet e rregullta mujore çdo të dënuari në vend pune, po ashtu edhe nga drejtoria e burgut e kanë mundësinë e monitorimit”, tha ai.

Thaqi shtoi se të dënuarit punojnë profesione nga më të ndryshmet dukë filluar nga gastronomia, bujqësia, puna administrative, për të cilat ata paguhen me një pagë bazë nga punëdhënësi ku ata punojnë.

“Të dënuarit gjatë ditës në kompani private janë të obliguar të punojnë tetë orë, sikur gjithë punëtorët në kompani private, prej orës 9:00 deri 16:00, kurse nga institucioni dalin 06:30 për arsyeje transporti varet ku ndodhen, transporti një pjesë dalin në ora 06:30, e tjetra pjesë më vonë në 07:00. Të dënuarit punojnë në të gjitha qytetet e Kosovës, kompani private, kanë profesione të ndryshme, duke filluar prej pune administrative, gastronomi, dhe punëtorë të thjeshtë fizik në kompani private…Të dënuarit të cilët janë punësuar paguhen nga kompania, varet nga marrëveshja që e kanë gjitha mjetet derdhën në konton e tyre, brenda institucionit dhe ato para i shfrytëzojnë për të mirat materiale të personit, kurse një pjesë tjetër për familjet e tyre”, tha ai.

Praktika të punës brenda burgjeve, si dhe në tokat rreth e rrethuara në burgje, ka vite që lejohen të burgosurit për të punuar. Ata paguheshin një euro në ditë./kp

Back to top button