Një hap pas, qeveria pezullon “pasaportat e arta”

Bashkimi Evropian e konsideron Shqipërinë si një pikë të rëndësishme për furnizimin e Evropës me energji dhe gaz të lëngshëm. Në konferencën në Tiranë, komisioneri Oliver Varheley shprehet se këto dy sektorë do të jenë në qendër të vëmendjes. Ndërkaq kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama deklaron se do të pezullojë vendimin për dhënien e pasaportës për investitorët e huaj dhe shton ka ndryshim të ligjit për amnistinë fiskale.
Qeveria shqiptare nuk do të veprojë me dhënien e pasaportave të arta.

Premtimin për pezullimin e dhënies së shtetësisë shqiptare për investitorët e mëdhenj e ka bërë publik, Edi Rama, pas takimit me përfaqësuesit e lartë të BE Josep Borrell dhe Oliver Varheley në Këshillin e Asociim Stabilizimit.

Borrell: Skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej.

Por kjo nuk do të thotë se Tirana është tërhequr përfundimisht nga nisma, për këtë do të pritet gjykata ndërkombëtare.

Rama: Nuk do ta nxjerrim më këtë iniciativë në tavolinë pa parë si do të përfundojë çështja në gjykatën europiane. Nëse gjykata europiane do të vendosë kundër pasaportave të arta kjo është një çështje e mbyllur.

Në mbledhjen në Tiranë palët kanë rënë dakord dhe për amnistinë fiskale, teksa nisma fillestare e qeverisë ka ndryshuar.

Rama: Duam t’i shkojmë deri në fund procesit të dialogut dhe përmirësimit të draftit. Sot është një draft krejt tjetër nga ai që ishte në fillim falë ekspertizës që ju na keni ofruar.

Edhe një herë kryeministri Edi Rama shprehu shqetësimin për diferencën ekonomike mes Ballkanit Perëndimor e vendeve të tjera.

Pikë kjo që solli dhe reagimin e Varheley.

Rama: Ballkani Perëndimor nuk e përballon dot këtë hendek që zgjerohet në kushtet kur jemi edhe të sfiduar nga vendet e mëdha që marrin njerëz, i paguajnë më mirë, etj.

Madje komisioneri shpreson që Ballkani dhe Shqipëria të ecë edhe më shpejt se BE, kjo duke u kthyer në pikë e furnizimit me gaz dhe energji.

Varheley: Shqipëria do të jetë e para që do të realizojë një terminal të gazit të lëngshëm natyror.

Ndërkaq kryeministri Edi Rama premtoi dhe rishikimin e sistemit të prokurimeve, duke ua hequr të drejtën e tenderave zyrtarëve apo drejtuesve të pushtetit vendor.

Back to top button