Akisidenti kishte ndodhur mbrëmë

Akisidenti kishte ndodhur mbrëmë

Një person 41 vjeçar ka vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:00 në fshatin Runik të Skënderajt.

Lajmin e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv zëdhënësi i policisë së rajonit të Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar dy drejtuesit e automjeteve si dhe tre pasagjeret. Dy nga të lënduarit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Ndërsa sot në ora 03:18 të datës 18 janar 2020, nga QKUK është raportuar se i lënduari viktima F .I., 41 vjeçar, nga lëndimet e pësuara ka ndërruar jetë”, ka thënë Zahiti.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sipas policisë deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur nga pakujdesia e drejtuesit të automjetit të cilën e drejtonte (viktima i rastit).

Në anën tjetër,  Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari përmes një postimi në “Facebook” ka shprehur ngushëllime për familjen.

“Në emër të Komunës së Skenderajt dhe në emrin tim personal i shpreh ngushëllime të thella familjes së të ndjerit F.I nga Padalishta, i aksidentuar mbrëmë në Runik. Të lënduarve nga aksidenti iu uroj shërim të shpejtë. Njëkohësisht bëjë apel tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të shtojnë kujdesin gjatë ngasjes, sidomos gjatë kohës së ngricave dhe të respektojnë shenjat e komunikacionit”, ka shkruar ai./21Media