Një muaj paraburgim për 22 të dyshuarit për trafikim me drogë

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve në rastin “Qielli i Thyer”.
Gjykata ka caktuar nga një muaj paraburgim për 22 të pandehurve, nën dyshimin për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar, shitblerje të narkotikëve dhe shpëlarje të parave, njoftoi Sistemi Prokurorial.
Pas një hetimi disa mujor, të martën është zhvilluar me sukses operacioni i madh anti-drogë “Qielli i Thyer”, që çoi në shkatërrimin e një grupi të organizuar kriminal që dyshohet për trafikim ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrim parash.
Operacioni është kryer në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku janë arrestuar 22 persona në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit.
Sipas një komunikate të Prokurorisë, personat e arrestuar dyshohen për kryerjen e veprave penale “krim i organizuar”, “trafikim i narkotikëve” dhe “pastrim i parave”.
Autoritetet njoftuan se aktivitetet e këtij grupi janë kryer përmes përdorimit të aplikacionit të koduar “SkyECC”.
Operacioni “Qielli i Thyer” është rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të të dhënave me autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës dhe Europolit.
Aksioni përfaqëson një ndër goditjet më të mëdha kundër krimit të organizuar në Kosovë