Një muaj paraburgim për kontrabanduesit e emigrantëve

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën së Apelit të Kosovës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë mbi caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.K dhe Z.C në kohëzgjatje prej një muaji.

Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit B.K dhe Z.C. që nga fillimi i muajit shkurt 2017 e deri në momentin e arrestimit, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare kanë kontrabanduar emigrantë nga shteti i Kosovës për në shtetet e Evropës, duke kaluar në shtetin e Serbisë.

Sipas komunikatës së Gjykatës Themelore, dy të pandehurit në bashkëpunim dhe kombinim të plotë edhe me të dyshuarit tjerë, që për momentin janë në arrati, fillimisht kanë arritur të kontaktojnë me persona që janë të interesuar për të udhëtuar jashtë vendit në shtetet e Evropës, i kanë siguruar dhe furnizuar me dokumentacion të rrejshëm e pastaj duke shfrytëzuar automjete të ndryshme të marra me qira, dhe nëpërmes autobusëve që udhëtonin në ato relacione i kanë dërguar emigrantët deri te kufiri të cilin e kalonin në këmbë, me qëllim të arritjes së destinacionit të dëshiruar pra varësisht  nga destinacioni i vendit ku dëshironin të shkonin ata ishin të detyruar të paguanin shumen prej 2 mijë deri në 3 mijë euro.

“Me këto veprime dyshohet se të pandehurit B.K dhe Z.C kanë kryer veprën penale  Kontrabandim me migrantë nga neni 170 par. 2 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën së Apelit të Kosovës”, thuhet në komunikatë./21Media

Back to top button