Një muaj paraburgim për personin që shiste kokainë

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka bërë të ditur se është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurit P.M., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ”Blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
”Pa autorizim ka poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes ose ofrimit për shitje substancë apo preparate të cilat janë shpallur me Ligj si narkotikë, në atë mënyrë që me datë 16 korrik, në orët e mesnatës i pandehuri P.M., (me të bashkëpandehurin i cili është në arrati), ishin duke përgatitur – ndarë nëpër qese plastike sasinë e substancës së dyshuar narkotike të llojit ”Kokainë”, me qëllim që të njëjtën pastaj ta shesin nëpër qytet,  dhe pas arrestimit të të pandehurit gjatë kontrollit në banesë dhe objekte përcjellëse janë gjetur; një qese plastike ngjyrë e bardhë ku brenda saj ishin 43 qese plastike të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit ”Kokainë”, në peshë prej 57.40 gr; dy peshore elektronike me mbishkrimet ”Digital Pocket Scale”, ”Muhler” dhe një peshore elektronike në formë të çelësit; 11 qese plastike me substancë të dyshuar për narkotik të llojit ”Kokainë”, në peshë prej 5.44 gr; në një kuti metalike kishte të fshehur substancën e dyshuar narkotike e llojit ”Kokainë”, në peshë prej 50.49 gr”, është bërë e ditur në komunikatë.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh faktin se me qëndrimin në liri të të pandehurit P.M., i njëjti mund të arratisej sepse gjatë arrestimit të të njëjtit nga policia, i njëjti ka tentuar të ik nga vendi i ngjarjes, gjithashtu me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh edhe faktin se i pandehuri P.M., ka qenë i dënuar nga kjo gjykatë pikërisht për vepër penale të kësaj natyre.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./21Media

Back to top button