Një muaj paraburgim për serbin që sulmoi policinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.A për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulmi ndaj personit zyrtar në bashkëkryerje dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.A e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.
“Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, , ngase i pandehuri me qëndrimin në liri mund të fshihet apo të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për shkak të peshës së veprave penale për të cilat ngarkohet, e këtë lehtë mund ta bëjë kur merret për bazë fakti se i pandehuri është shtetas edhe i Republikës së Serbisë, ashtu që do të jetë i pa arritshëm për organet e ndjekjes, po ashtu ekziston rreziku se me lënien në liri i njëjti mund të fsheh, asgjësojë, apo ndryshojë provat që duhen të merren gjatë fazës së hetimeve, andaj sipas vlerësimit të Gjykatës caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurit në këtë fazë të procedurës penale është më se i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për zbatim me sukses dhe efektiv të kësaj procedure penale”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në pikën kufitare të Jarinjes, Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person me inicialet M.A, i cili ishte në kërkim për sulm me armë zjarri ndaj personave zyrtarë, sipas veprës “vrasje e rëndë në tentativë”.
Policia e Kosovës nuk ka sqaruar se për cilin rast bëhet fjalë, por ka thënë se bëhet fjalë për një rast që ka ndodhur kohë më parë.
Policia e Kosovës, ditëve dhe muajve të fundit, është sulmuar disa herë në pjesën veriore të Kosovës.
“Policia e Kosovës, gjatë realizimit të detyrave zyrtare, sot, më 09.02.2022, rreth orës 15:00, në Jarinje ka arritur të identifikojë dhe të ndalojë të dyshuarin M.A. (m/s/k), i cili ishte në kërkim. Personi i ndaluar është i dyshuar për përfshirje në sulm me armë zjarri ndaj personave zyrtar, ‘vrasje e rëndë (në tentativë)’, rast ky i kryer kohë më parë”, thuhet në njoftim.

Back to top button