Një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen e ish-gruas

Gjykata Themelore në Ferizaj të shtunën ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit V.A. për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe plagosjen e vëllait të mitur të viktimës.

Ai po akuzohet për dy vepra penale, “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata ka thënë se i dyshuari e ka goditur viktimën disa herë në kokë brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

“Ekziston dyshimi i bazuar, se me datë 12 Prill 2024, rreth orës 14:40, i pandehuri brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rr.”Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën ka bashkëjetuar duke e goditur disa herë me armë plumba në kokë, ndërsa ka shtënë edhe në drejtim të miturit D.C (vëllai i të ndjerës) duke e plagosur në krahë. Po ashtu ka vlerësuar se i pandehuri në kundërshtim me ligjin për armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit Zoraki M 2906-T, me numër serik ZRAGY02 201100027 cal.9mm, me një karikator të zbrazur, e cila me datë 12 prill i është konfiskuar nga Policia”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Back to top button