Një nxënëse iraniane rrahet për vdekje, refuzoi të këndonte himnin pro regjimit

Një vajzë 16-vjeçare nga qytetit veriperëndimor iranian i Ardabilit ka vdekur pas plagëve të marra. Ajo ishte rrahur nga policia pasi kishte refuzuar që të këndonte himnin pro-regjimit, kur shkolla e saj u bastis nga agjentët e sigurisë.
Këshilli Koordinues i Sindikatave të Mësuesve të Iranit konfirmoi se Asra Panahi ka vdekur pas bastisjes së forcave të sigurisë në shkollën e mesme të vajzave në Ardabil më 13 tetor.
Sipas këshillit, autoritetet në qytetin Ardabil i morën nxënëset nga shkolla e mesme Shahed dhe i dërguan në një protestë pro-qeveritare, duke kërkuar nga to që të këndonin himnin dhe të lavdëronin liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Pasi nxënëset refuzuan, forcat e sigurisë i sulmuan dhe i rrahën shumë prej tyre. Dhjetë u morën nga forcat e sigurisë dhe u dërguan në një vend të panjohur, ndërkaq shtatë u plagosën. Panahi raportohet se vdiq në një spital më 14 tetor.
Zyrtarët iranianë kanë mohuar se forcat qeveritare të sigurisë kanë rrahur nxënëset.
Irani është përballur me trazira që paraqesin sfidën më të madhe ndaj regjimit islamik që nga revolucioni i vitit 1979 – që nga 16 shtatori, pas vdekjes së Mahsa Amini, 22 vjeçe, e cila vdiq në mbajtje policore, pasi ishte arrestuar nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës./21Media

Back to top button