Një sërë tërmetesh në Maqedoni! Tërmeti më i fuqishëm prej 4.6 ballëve goditi rajonin e Mavrovës

 

Një sërë tërmetesh mbrëmë tronditën Maqedoninë. Rreth mesnatës, një tërmet prej 4.6 ballëve sipas Rihterit goditi rajonin e Mavrovës. Nga Observatori Sizmologjik kumtojnë se bëhet fjalë për tërmet, epiqendra e të cilit ka qenë afër Mavrovës në thellësi prej rreth 10 kilometrash, kurse i njëjti është ndjerë edhe në Shkup.

 “Mbrëmë, duke filluar nga ora 20 e 40 minuta është regjistruar një sërë tërmetesh, epiqendrat e të cilave ishin 65 km në jugperëndim të Shkupit afër Mavrovës dhe burojnë nga zona e epiqendrës Tetovë – Gostivar. Tërmeti i parë ndodhi në orën 20:40 dhe ishte me magnitudë lokale të Rihterit ML 3.0. dhe është ndjerë në Mavrovë dhe Gostivar me intensitet prej 3 ballëve sipas shkallës makro-sizmike evropiane. Tërmeti i dytë ishte më i fuqishëm. Ndodhi në orën 22 e 17 minuta dhe ishte me magnitudë lokale të Rihterit ML 4.6 dhe ishte ndjerë në Mavrovë, Dibër, Tetovë, Gostivar dhe Kërçovë me intensitet prej 5 deri në 6 ballë sipas shkallës makro-sizmike evropiane”, tha Dragana Çernih Anastasovska.

TV21 kontaktoi edhe me kryetarin e komunës Mavrovë-Rostushë, i cili tha se edhe përkundër lëkundjeve të forta, nuk është regjistruar dëm i madh material.

 “Deri më tani nuk janë raportuar dëme të mëdha. Unë di vetëm për një shtëpi, oxhaku i së cilës ka rënë, kurse paraqitje të tjera deri më tani nuk ka. Njerëzit janë të shqetësuar, madje edhe gjatë orës policore, disa prej tyre i braktisën shtëpitë e tyre dhe shkuan në Shkup. Tani në rajonin e Mavrovës uji nuk është i mirë për tu pirë. Për shkak të tërmetit duhet të pastrohet. Ndoshta brenda disa ditësh do të pastrohet”, deklaroi Medat Kurtovski – Kryetar i Komunës Mavrovë – Rostushë.

Uji i papastër i cili nuk rekomandohet për pije, është problem i shpeshtë në këtë rajon, sidomos në periudhën kur ka reshje të rrëmbyeshme të shiut. E njëjta gjë ndodhi edhe gjatë tërmeteve të vitit të kaluar, epiqendra e të cilave ishte në Leunovë. Kryetari Kurtovski, thotë se janë formuar dy komisione të cilat tashmë kanë dalë në terren për ta vlerësuar dëmin e shkaktuar, me qëllim që komuna të mund t’u dalë në ndihmë banorëve./21Media

Back to top button