Një shtetas i Shqipërisë plagoset në Gjakovë, sulmuesit “i kërkuan ndihmë për automjetin në defekt”

Një shtetas i Shqipërisë është plagosur në fshatin Nec të Gjakovës.
Viktima i cili është jashtë rrezikut për jetë, ka deklaruar te organet e rendit se dy personat që thotë se e kanë sulmuar i kishin kërkuar ndihmë me pretendimin se automjeti i tyre kishte defekt.
Lajmi për portalin rtv21.tv është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës Sheremet Elezaj.
Sipas tij, të dyshuarit më pas e kanë goditur me shufra metalike, dhe e kanë plagosur me armë zjarri.
“Rreth orës 12:25, jemi njoftuar se një shtetas shqiptar rreth moshës 28 vjeçare, ishte dërguar në spitalin e përgjithshëm në Gjakovë me lëndime të shkaktuara nga armë zjarri. Sipas informatave të para, viktima ka raportuar se, gjatë lëvizjes me veturë në rrugën Morinë-Gjakovë, në fshatin Nec, është ndalur nga dy persona të panjohur, të cilët fillimisht e kanë sulmuar me mjet të fortë dhe më pas me armë zjarri. Nga personeli mjekësor, jemi njoftuar se viktima aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e nevojshme policore, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme hetimore, me ç’rast edhe janë gjetur tre fishekë dhe dy gëzhoja”, bënë të ditur Elezaj për portalin rtv21.tv
“Lidhur me këtë ngjarje është njoftuar Prokurori për Krime të Rënda, me vendimin e të cilit është iniciuar rast vrasje e mbetur në tentativë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat dhe identifikuar të dyshuarit”, thuhet tutje nga Elezaj. /21Media