”Një sistem gjyqësor i pavarur, garanci e shtetit të së drejtës”

Delegacionit shqiptar iu bënë të njohura disa prej prioriteteve dhe arritjeve kryesore në kuadër të reformimit të sistemit gjyqësor të Kosovës

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi i shoqëruar nga disa anëtarë të Këshillit, priti sot në takim një delegacion të nivelit të lartë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë (KLD), kryesuar nga Presidenti i  Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar i Këshillave Gjyqësorë dhe anëtar i KLD-së, Gjin Gjoni, i shoqëruar nga anëtarët e KLD-së, Gerd Hoxha, Petrit Çomo si dhe  Neritan Cena.

Siç njoftohet, në këtë takim, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi e informoi  delegacionin e KLD-së, mbi përbërjen aktuale, funksionin dhe kompetencat e KGjK-së, si dhe organizimin e sistemit gjyqësor në përgjithësi.

Idrizi gjithashtu i njoftoi të pranishmit në lidhje me procesin për vlerësimin e gjyqtarëve, i cili ështënjëri nga prioritetet e KGjK-së, në funksion të promovimit dhe ngritjes profesionale të gjyqtarëve.

Delegacionit shqiptar, iu bënë të njohura edhe disa prej prioriteteve dhe arritjeve kryesore në kuadër të reformimit të sistemit gjyqësor, duke u ndalur në mënyrë specifike në decentralizimin e gjykatave në vend.

Anëtari i KLD-së – Presidenti i  Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar i Këshillave Gjyqësorë, Gjin Gjoni, pasi vlerësoi punën e Këshillit Gjyqësor dhe Kryesuesit Idrizi, theksoi se një sistem gjyqësor i  pavarur është garanci  e shtetit të së drejtës.

Gjoni njoftoi Kryesuesin dhe anëtarët e KGjK-së, mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë, duke u ndalur në mënyrë specifike në vështirësitë dhe problemet që ka sot sistemi gjyqësor dhe se çdo ndërhyrje i thyen parimet bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës.

Gjatë diskutimit, gjithashtu u evidentuan sfidat e përbashkëta në kuadër të përmbushjes së objektivave që secili shtet bartë në vetvete në fushën e drejtësisë, si dhe njëzëri u pajtuan që të vazhdoi edhe më tutje bashkëpunimi në mes të dy shteteve.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë së Shqipërisë në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, do të ketë takime me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve  të sistemit të drejtësisë së  Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button