NJË VEPËR KAPITALE

“Shqiptarët në sanxhakun e Nishit”,autor Jusuf OSMANI
Vepra e Jusuf Osmanit “Shqiptarët në sanxhakun e Nishit”, në shtatë libra, që doli këto ditë, kurorëzon punën e gjatë dhe të palodhshme të studiuesit tanë më të zellshëm në këtë fushë. Si e tillë nxjerrë në pah, me anën e dokumenteve autentike të kohës, tablonë komplete të etnocidit të parë të shtetit serb ndaj etnisë shqiptare në sanxhakun e Nishit, nga lufta serbo-osmane e vitit 1877 dhe ajo ruso-osmane e vitit 1878 deri te etnocidi i dytë i vitit 1912 i përcjellë edhe me gjenocid, ku u vu në sherbim i gjithë aparati ushtarak dhe infrastruktura shtetërore për të pushtuar trojet shqiptare nën pretekstet “e luftës çlirimtare” kundër Perandorisë Osmane. Pasoja e veprimit hegjemonist të shtetit serb nuk janë të panjohura edhe në përmasat ndërkombëtare. Madje, Kongresi i Berlinit, kur njohi Serbinë dhe Malin e Zi si shtete të pavarura, në vendimet përfundimtare shtroi edhe çështjen e popullatës së dëbuar nga trojet e saj në Sanxhakun e Nishit, me ç’rast nxori vendimin që popullatës së shpërngulur t’u krijohen kushtet për rikthim, atyre që këtë dëshirojnë, ndërsa të tjerëve t’u njihet e drejta e pronës në përputhje me tapitë. Për ta përcjellë këtë veprimtari u krijua një komision i veçantë ndërkombëtar, që kishte për detyrë brenda tri vitesh të përcjellë riatdhesimin e të shpërngulurve si dhe kompensimin e pronave atyre që këtë kërkojnë. Bazuar në të dhënat që iu paraqiten Konferencës së Ambasadorëve në Stamboll, pas tri vitesh, Serbia nuk përmbushi asnjërin nga këto premtime. Ndërkohë që Sanxhaku i Nishit, i pastruar nga popullata autoktone shqiptare, zuri të popullohej me kolonë nga Bosnja, Hercegovina, Mali Zi dhe viset tjera, ndërsa muhaxhirët shqiptarë u shkapërderdhën në vilajetin e Kosovës, në Maqedoni e një pjesë e tyre përfundoi në Anadoll dhe Siri.
Vepra e Jusuf Osmanit, dokumenton deri në imtësi këtë etnocid. Në shtatë libra, pasqyrohet pamja e Sanxhakut të Nishit, nga ajo me shqiptarë – deri te lufta serbo-osmane me të gjitha veçoritë etnike, siç pasqyrohet edhe kolonizimi i saj me popullatë serbe. Ndaj, kjo vepër ka një rëndësi kapitale, meqë ajo nxjerr në pah politikën hegjemoniste serbomadhe për pushtime në përputhje me “Naçertanjen” e Garashaninit, por nxjerr në pah edhe etnocidin dhe gjenocidin e shtetit serb ndaj etnisë shqiptare si dhe shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit qysh nga viti 1877, që do të vazhdojë edhe me atë ndaj vilajetit të Kosovës në vitin 1912. Në këtë aspekt, puna e zellshme e Jusuf Osmanit, krahas aspektit shkencor si dhe dobisë së madhe që paraqet për faktimin historik të njërës ndër plagëve më të mëdha të shqiptarëve në shekullin e kaluar të shkaktuar nga hegjemonizmi shtetëror serb, paraqet edhe një ndihmesë të madhe për shtetin e Kosovës dhe politikën e saj, që në raportet me Serbinë,nga defanziva e tanishme, të kalojë në një ofansivë, me ç’rast, futja e problematikës së popullatës shqiptare të Sanxhakut të Nishit, të spastruar nga trojet e etnike me mjetet e luftës, dekonspiron përpjekjet e Beogradit që serish të fusë në lojë projektin e Serbisë së Madhe. Vepra e Jusuf Osmanit, ofron shumanshëm dëshmi për politikën hegjemoniste serbe ndaj shqiptarëve në të kaluaren, pasojat e së cilës edhe më tutje janë të pranishme. Si e tillë, ajo duhet të përkthehet në anglisht dhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të shtetit të Kosovës, dhe si e tillë të shpërndahet në të gjitha insitucionet relevante botërore dhe ato të qarqeve akademike.
Jusuf Buxhovi

Back to top button