Një zyrtare e ATK-së dhe tre të tjerë janë arrestuar për përfshirje në vepra penale
Policia e Kosovës në një ‘Sallon masazhi’ ka identifikuar dhe arrestuar katër persona të dyshuar
Policia e Kosovës ka arrestuar katër të dyshuar për përfshirje në veprat penale ‘Ofrimi i lokaleve për prostitucion’, ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Ushtrim i ndikimi’, ‘Mbajtja në pronësi kontroll apo posedim i armës’ dhe ‘Bashkëkryerja’.
Sipas një komunikate për media të PK-së, arrestimi i katër të dyshuarve erdhi pas hetimeve të zhvilluara nga Sektori i Hetimeve të Trafikimit me Njerëz-Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz e PK-së, të udhëhequra nga Prokuroria Themelore-Departamenti i Krimeve të Rënda Prishtinë, duke përdorur masa të fshehta të hetimit, më 30.11.2018, ka realizuar një plan taktik. Gjatë realizimit të planit, në një ‘Sallon masazhi’ në Prishtinë, ka identifikuar dhe arrestuar katër persona të dyshuar.
“Personi i dyshuar (L.L.) zyrtare në ATK-ë, dyshohet se në vazhdimësi duke keqpërdorur autoritetin zyrtar, me qellim të përfitimit ka ndihmuar të dyshuarit tjerë në kryerjen e veprave penale dhe po ashtu dyshohet se ka kryer edhe veprën ‘Ushtrim i ndikimit’.
Policia si prova materiale ka konfiskuar:
1 arme zjarri me një karikator dhe dy fishekë të njëjtës armë,
6 (gjashtë) telefona mobil,
para në vlere 820 euro dhe 20 franga (tetëqind e njëzet euro dhe njëzet franga) dhe
dokumente të ndryshme”, bëhet e ditur në komunikatë.
Të dyshuarit me aktvendim të prokurorit dërgohen në mbajtje për 48 orë./21Media