11 ditë kohë për mandatarin, skepticizëm për formimin e qeverisë
A duke kalkulime tjera?!
Edhe njëmbëdhjetë ditë kohë i kanë mbetur mandatarit për kryeministër, Albin Kurti që t’ia paraqes për votim kabinetin e tij qeverisës, Kuvendit të Kosovës. Por, derisa ditët po kalojnë, ka fare pak shpresë për një marrëveshje politike për bashkëqeverisje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike.
Ultimatumet, ofertat dhe kundër-ofertat ndërmjet njëra- tjetrës, për analistët politikë janë një dëshmi se dy partitë po mendojmë më shumë në atë se qysh t’ia paraqesin qytetarëve dështimin e jo koalicionin qeverisës.
Profesori universitar, Behlul Beqaj ka thënë se kjo çështje duhet të marrë një epilog qysh këtë javë. “Unë mendoj se nuk duhet domosdoshmërish të arrihet një marrëveshje e cila nuk siguron prevalencën e ndryshimit.”, ka thënë ai.
Analisti politik, Faton Abdullahu, ka thënë se barrikadimet e dy partive në qëndrimet e tyre, nënkupton se ato janë duke bërë kalkulime tjera dhe jo atë të formimit të koalicionit qeverisës. “ Për shkak të trysnisë kohore që njëherë e ka bërë Vetëvendosja duke e paraqitur kandidatin për kryeministër pa marrëveshje që e ka nxitur rrjedhën e kohës prej 15 ditësh. Të njëjtën në mënyrë tjetër e ka bërë LDK duke sforcuar këtë trysini kohore brenda kësaj jave. Kjo të len të kuptosh se këto parti politike nuk janë shumë të interesuara të bëjnë qeverinë. Por më shumë po bëjnë kalkulime se çfarë do të ndodh pas këtij dështimi”, ka thënë Abdullahu.
Pesimist për një koalicion të tillë qeverisës u shpreh edhe analisti tjetër, Rasim Aliaj, i cili ka thënë se gjasat në rrethanat e tilla për bashkëqeverisje mes VV-LDK- janë të vogla. “Në këto rrethana edhe me këtë gjuhë të komunikimit që e kanë pasur të dy partitë, përshirë edhe e video-mesazhet e VV-së, e deklaratat e LDK-së besoj që gjasat për arritjen e një koalicioni në rrethanat e tilla janë shumë të vogla”, ka thënë ai.
Menjëherë pas rrjedhës së afatit kushtetues për formimin e qeverisë, lideri i LDK-së i vendosi një afat për bashkëqeverisje. Sipas tij, deri në fundin e kësaj jave do të presin Lëvizjen Vetëvendosje t’i përgjigjen pozitivisht ofertës së tyre, ku parashihet marrja e kryeparlamentarit për një vit, pesë ministri dhe zotimi për emërimin e presidentin nga radhët e tyre.