Siguria në trafik sfidë për Kosovën

113 viktima për një vit

Sfida kryesore e sigurisë publike në vend vazhdon të jetë siguria në trafik, ku gjatë vitit 2019 kanë ndodhur 16 mijë e 199 aksidente ku kanë humbur jetën 113 persona. Kështu u tha në konferencën e shtatë ndërkombëtare të titulluar “Sfidat e mobilitetit të transportit dhe siguria publike”, të organizuar nga Kolegji Tempulli si dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike.

Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Bejtush Gashi tha se siguria publike në përgjithësi dhe ajo rrugore në veçanti vazhdojnë të mbeten ndër problemet kryesore për institucionet shtetërore dhe të gjithë shoqërinë. Ai tha se shqetësuese është numri i madh i aksidenteve rrugore dhe numri i personave të vdekur në aksidente në vendin tonë.

Ndërkaq, drejtori i Kolegjit të Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, Muhamet Krasniqi, tha se siguria e lëvizjes në rrugë është një çështje që duhet t’i brengosë institucionet dhe qytetarët. Krasniqi u shpreh se ekziston edhe arsye dhe optimizëm sepse vende të botës përmes aktiviteteve të ndryshme kanë arritur të përmirësojnë sigurinë rrugore.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë për Siguri Publike, Ismail Smakiqi u shpreh se sfida e sigurisë në trafik ka nevojë për vëmendje të shtuar të institucioneve dhe të qytetarëve.

Edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, deklaroi se sfida kryesore me të cilën po përballet vendi sa i përket sigurisë publike është siguria në trafik. “Fatkeqësisht vendi ynë po përballet me një nga sfidat kryesore të sigurisë publike, siç është siguria në trafik. Miliona njerëz humbin jetën dhe gjymtohen si pasojë e aksidenteve të trafikut, pa llogaritur fare këtu dëmet materiale që shkaktohen nga aksidentet e trafikut. Nuk do të mjaftonte që shoqëria njerëzore të jetë e mjaftueshme e brengosur për këtë problem. Vetëm një kombinim i mirëfilltë i edukimit akademik, mirëmbajtjes teknike dhe ngritjes së masave të sigurisë do të mundësonte që të përballemi me këtë sfidë në mënyrë adekuate”, tha ai.

Konferenca e titulluar “Sfidat e mobilitetit të transportit dhe siguria publike”, është organizuar nga Kolegji Tempulli si dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike.

Back to top button