Norvegjia dhe Franca heqin shumicën e kufizimeve kundër pandemisë
Norvegjia është bërë shteti i dytë skandinav që ka hequr shumicën e kufizimeve për koronavirus, pavarësisht rritjes së shkallës së infektimit, si pasojë e variantit Omicron.
Autoritetet norvegjeze kanë thënë se shoqëria “duhet të jetojë” me virusin, derisa edhe Franca ka vepruar ngjashëm.
Omicron ka rritur numrin e të infektuarve në Norvegji, mirëpo numri i pacientëve të shtrirë nëpër spitale nuk është rritur.
“Më në fund kemi arritur në pikën kur mund të heqim shumicën e masave shëndetësore me të cilat na është dashur të jetojmë këtë dimër”, ka thënë ministri norvegjez, Jonas Gahr Store, në një konferencë për media.
Më shumë se 781,000 raste dhe 1,440 viktima me koronavirus janë regjistruar në Norvegji prej shpërthimit të pandemisë.
Në këtë shtet, pothuajse 91 për qind e popullsisë është e vaksinuar plotësisht.
Norvegjia ka marrë këtë vendim pas Danimarkës, e cila është bërë shteti i parë i Bashkimit Evropian që ka hequr të gjitha kufizimet për luftim të pandemisë, pavarësisht shifrave rekorde të infektimit.
Ndërkohë Franca ka marrë vendim që nga 2 shkurti të hiqet masa për vendosje të maskës në ambiente të jashtme.
Është hequr edhe limiti për numrin e personave që mund të marrin pjesë në koncerte, ndeshje sportive dhe ngjarje tjera.