Norvegjia ia dorëzon dokumentet e njohjes kryeministrit palestinez

Të mërkurën e kaluar, Irlanda dhe Spanja bënë një zotim të përbashkët me Norvegjinë për të njohur një shtet palestinez, një lëvizje historike që ka rritur izolimin e Izraelit më shumë se shtatë muaj pas fillimit të luftës kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës. Operacionet e ushtrisë izraelite në Gazë pasuan sulmin e Hamasit në Izrael, në të cilin, sipas zyrtarëve izraelitë, u vranë 1200 njerëz dhe u morën peng 250 të tjerë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, mbi 35 mijë palestinezë janë vrarë në operacionet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës. Zyrtarët e kësaj ministrie nuk bëjnë dallim mes viktimave civile dhe militantëve në shifrat e tyre.

Dorëzimi i dokumenteve të njohjes nga ministri i Jashtëm norvegjez Espen Barth Eide për kryeministrin e palestinezëve u bë në Bruksel, ku Mohammad Mustafa u takua edhe me ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian dhe zyrtarë të lartë të BE-së për të thelluar mbështetjen e tyre për palestinezët.

Norvegjia nuk është anëtare e BE-së.

Lëvizja diplomatike nga të tre vendet ishte një nxitje e mirëpritur e mbështetjes për zyrtarët palestinezë, që kanë kërkuar për dekada krijimin e një shteti në Jeruzalemin lindor, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, territore që Izraeli i pushtoi në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe ende i kontrollon.

Rreth 140 vende, më shumë se dy të tretat e të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, e njohin shtetin palestinez, por shumica e 27 vendeve të BE-së ende nuk e njohin atë. Disa vende të BE-së kanë thënë se do ta njihnin shtetin palestinez në një kohë të përshtatshme.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Britania mbështesin idenë e një shteti të pavarur palestinez, që do të ekzistonte përkrah Izraelit, por thonë se ajo duhet të arrihet përmes një zgjidhjeje të negociuar.

Dorëzimi i dokumenteve të njohjes të dielën erdhi vetëm dy ditë pasi Gjykata e Ndërkombëtare Penale urdhëroi Izraelin të ndërpriste menjëherë ofensivën ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah, në lëvizjen e fundit për të shtuar trysninë mbi vendin gjithnjë e më të izoluar. /VOA

Back to top button