Novavax do të jetë vaksina e pestë kundër koronavirusit në bllokun evropian

Rregullatori për ilaçe i Bashkimit Evropian ka rekomanduar sot përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit të prodhuar nga kompania me bazë në Shtetet e Bashkuara, Novavax.
Sapo të miratohet nga Komisioni Evropian, vaksina e kompanisë Novavax do të jetë e pesta kundër koronavirusit në bllokun evropian. Këtë vaksinë do të mund ta marrin personat mbi moshën 18-vjeçare.
Të dhënat nga dy studime të mëdha kanë treguar se vaksina është efikase rreth 90 për qind kundër këtij virusi, ka thënë Agjencia Evropiane e Ilaçeve (EMA), ndonëse ende nuk dihet efekti i saj ndaj disa varianteve të koronavirusit, përfshirë atë Omicron.
Numri i personave të infektuar me koronavirus ka shënuar shifra rekorde në disa vende në Evropë, kryesisht për shkak të Omicronit.
Kompania Novavax pritet të kërkojë miratim për përdorim të vaksinës së saj edhe në Shtetet e Bashkuara. Novavax dhe BE-ja kanë arritur marrëveshje paraprake në dhjetor të vitit 2020, mirëpo për shkak të procedurave të prodhimit, kontrata finale për 200 milionë doza është nënshkruar në muajin gusht të këtij viti. Kompania ka thënë se do të nisë dorëzimin e dozave të vaksinës në janar të vitit të ardhshëm.
Aktualisht në BE jepen vaksinat e kompanive: Pfizer/BioNTech, AstraZeneca, Moderna dhe Johnson&Johnson./21Media

Back to top button