Nuhiu i kundërpërgjigjet Selës, “Natën e 27 prillit kam bërë maksimumin”

Reagimi i ministrit Nuhiu vjen pas deklaratës së djeshme të Ziadin Selës

Ministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu për TV21 thotë se natën e 27 prillit ka dhënë maksimumin që të evakuojë deputetët e ngujuar në Kuvend.  Por ai e ka quajtur emocionale deklaratën e kreut të LR-PDSH, Ziadin Sela, se ministri i brendshëm ka mundur të jap kontribut më të madh natën kur protestuesit ushtruan dhunë mbi deputetët.

“Unë vlerësoj dhe jam i hapur për çdo vlerësim dhe kritikë emocionale. Megjithatë do të dua të jua bëj me dije juve dhe opinionit më të gjerë se ministri shqiptar në MPB nuk udhëhiqet nga emocionet, por udhëhiqet nga kuadri ligjor dhe institucional. Të jeni të bindur se unë i kam ndërmarrë të gjitha aktivitetet në drejtim të ushtrimit të autorizimeve dhe të kompetencave të mija, një për një, deri në shkronjën e fundit të ligjit. Sigurisht që opinioni do të duhet që t’i parashtrojë pyetje vetvetes se “Çka në qoftë se në krye të MPB-së nuk do të ishte në këto rrethana një ministër shqiptarë?!”, u shpreh Agim Nuhiu, Ministër i Punëve të Brendshme.

Ai tha se fal Zotit, angazhimit të tij maksimal dhe profesionistëve në MPB, është arritur që të evakuohen deputetët dhe të mos ketë viktima.”

Reagimi i ministrit Nuhiu vjen pas deklaratës së djeshme të Ziadin Selës në emisionin “10 minuta” në TV21, i cili duke komentuar dhunën e 27 prillit, e quajti dështim punën e ministrit të brendshëm.

“Nuk e di se cilat kanë qenë rrethanat, por çdo herë mund të bëhet më shumë. Të paktën një ministër i punëve të brendshme në qoftë se nuk ka arrit që për gjithë këtë periudhë të ketë minimumi 20 policë ose 50 që do të ndalnin gjithë këtë turp që ndodhi në parlament mendoj që është dështim i rëndë”, tha Ziadin Sela, Kryetar i LR-PDSH-së.

Për dhunën e 27 prillit në Kuvend, ministri Nuhiu ka drejtuar akuza ndaj  sektorëve të ndryshëm të MPB-së se nuk e kanë vepruar profesionalisht natën e 27 prillit, gjegjësisht ndaj drejtorit për siguri publike dhe shefit të shtabit operativ, Mitko Çavkov, duke kërkuar përgjegjësi dhe dorëheqjen e tij./21Media

Back to top button