Nuk dihet se çka përmbanë propozimi i Lajçak për dinarin

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë detaje për propozimin e ndërmjetësit të dialogut Miroslav Lajçak ku flitet për një marrëveshje kompromisi për çështjen e dinarit. Megjithëse e ka mirëpritur propozimin e Lajçak, Qeveria thotë se nuk pranon marrëveshje që është kundër ligjeve dhe rregullores së BQK-së. Ndërkohë, opozita ka akuzuar Qeverinë se çdo kompromis në raport me dinarin është jo kushtetues dhe jo ligjor.

Bashkimi Evropian por edhe Qeveria e Kosovës nuk kanë dhënë hollësi mbi një propozim të ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak, që palët të gjejnë zgjidhje mbi bazën e një kompromisi për çështjen e dinarit. Lajçak tha pas takimit se do të vazhdojë të kërkojë zgjidhjen mbi një propozim të BE-së, por palët vazhduan ta akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë vullneti. Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, tha se termi kompromis nuk nënkupton se mund të ketë zgjidhe që shkon kundër rregullores së BQK-së dhe ligjeve të Kosovës.

“Refuzimi i Serbisë ndaj propozimit të Lajçakut dëshmon se Serbia nuk është e interesuar që të gjejë një zgjidhje për serbet e Kosovës. Propozimi nuk shkel ligjet e Kosovës dhe rregulloren e BQK-së”, tha Dugolli për rtv21.

Një mendim ndryshe ndërkaq ka bashkëpartiakja e tij, Fitore Pacolli, e cila është kundër kompromiseve me Serbinë.

“Nuk ka kompromis të mundshëm në këtë drejtim, për shkak se nuk ka çfarë kompromisi të bëjmë. Ne po mundohemi të gjejmë rrugë legale se si mund t’i sjellë Serbia paratë”, tha Pacolli për rtv21.

Opozita paralajmëron Qeverinë se do ta kundërshtojë çdo lloj marrëveshje që arrihet mbi bazën e kompromiseve që shkon kundër rregullores së BQK-së.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se çdo kompromis në raport me dinarin është jo kushtetues dhe jo ligjor.

“Këta do të gjejnë kompromise për ta legalizuar dinarin në Kosovë duke pretenduar komunaq që janë me shumicë serbe përmes Asociacionit. Cdo komprimisë në raport me dinarin është jo kushtetues dhe jo ligjor”, tha Berisha.

Nëse nuk ka ndonjë marrëveshje së shpejti për zgjidhjen e problemit me dinarin midis Kosovës dhe Serbisë, për njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, kjo do të bëhet barrë shtesë për Kosovën për faktin se në BE do të ketë zgjedhje dhe vëmendja nuk do të jetë tek dialogu i Brukselit.

“Lajçak e kryen mandatin dhe BE shkon në zgjedhje dhe presioni ndërkombëtarë do të jetë mbi supet e Kosovës”, tha Sadiku.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do të ketë edhe një takim së shpejti midis kryenegociatorëve për çështjen e dinarit./RTV21/21Media

Back to top button