Nuk iu ekzekutohen shtesat për rrezikshmëri as këtë muaj, Sindikata e Policisë paralajmëron masa

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas mosekzekutimit të shtesave të rrezikshmërisë për policët e vendit.
“Duke u bazuar në dy komunikatat e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të muajit shkurt dhe muajit mars me arsyetimin dhe premtimin se Qeveria e Republikës së Kosovës në pagën muajin maj në mënyrë retroaktive do të ekzekutoj pagesën e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policor ku për fat te keq ky premtim nuk u realizua as në këtë muaj”, thuhet në njoftim.

Sindikata bën të ditur se lidhur me këtë ka pranuar dhe vazhdon të pranoj vërejtje dhe ankesa nga të gjitha njësitë në kuadër të Policisë së Kosovës.

“Andaj kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që shtesat e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, dhe kategorizimin e disa profesioneve të Stafit Civil dhe mbështetës pa asnjë përjashtim, të realizohen me pagën e muajit maj ne fillim te Qershorit dhe në asnjë rast të mos ketë shtyrje ne realizimin e së drejtës për të gëzuar të drejtën në shtesën e rrezikshmerisë” thuhet mes të tjerash në njoftimin e Sindikatës.

Kjo sindikatë i bën thirrje Qeverisë për reflektim dhe realizim të këtyre shtesave, si e drejtë elementare, përndryshe thonë se janë të obliguar të ndërmarrin masat sindikale, për t’i realizuar të drejtat e punëtorëve.

“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreson se Qeveria e Republikës së Kosovës do të reflektoj dhe pa humbur kohë do ta realizoj shtesën e rrezikshmërisë si e drejtë elementare dhe e merituar në të kundërtën e mos realizimit të kësaj kërkese siç po ndodh edhe me kërkesat tjera qe ia kem parashtruar deri me tani Qeverisë, ne si Sindikatë jemi të detyruar që të ndërmarrim masat sindikale bazuar në ligjin mbi organizimin sindikal dhe ligjin e Policisë së Kosovës për ti realizuar të drejtat tona në plotësimin e kërkesave tona.”, thuhet në reagim ./21Media

Back to top button