Nuk ka marrëveshje, SBASHK-u: Greva vazhdon, Qeveria nuk do zgjidhje të kërkesave

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar sot nuk është arritur marrëveshje për plotësimin e kërkesave të tyre, prandaj greva në arsim do të vazhdojë.
Kjo deklaratë e SBASHK-ut vjen një ditë pas takimit që zhvilloi kreu i kësaj sindikate me Ministren e Arsmit, Arbërie Nagavci dhe Ministrin e Financave, Hekuran Muratit.
Sipas SBASHK-ut, Nagavci e Murati  kushtëzonin që pa as edhe një marrëveshje të mbyllej greva.
“Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj , kryetari i Federatës sindikale të shërbyesve civil Ali Gashi, por edhe përfaqësuesit tjerë të BSPK-së disa herë iu drejtuan me lutje përfaqësuesve të Qeverisë dhe pjesëmarrësve të tjerë që të debatojnë qetë dhe të ndihmojnë që të ketë takim të Qeverisë me  përfaqësuesit e BSPK-së, pra me Këshillin Grevist. Mirëpo debatet  e kulturuara e gjithë këto lutje në fillim të takimit sikur i trimëruan Muratin e Nagavcin, që kushtëzonin pa të drejt se pa as edhe një takim dhe pa as edhe një marrëveshje të mbyllej greva . Kjo dëshmoi se ata ose nuk duan ose nuk dinë vërtetë as gjë për dialogun dhe veprimet sindikale . Greva ndodh kudo në botë  për të nxitur Qeverinë për të ndodhur dialogu  e ofruar zgjidhje të pranueshme për kërkesat e grevistëve  në mënyrë që të mbyllet greva e në Kosovë përfaqësuesit e Qeverisë e donin të kundërtën dhe me qëllim të caktuar. Ata insistonin që të mbyllet greva e pastaj të bëhej ,kinse, dialogu. Kjo tregon se ata vërtetë nuk e duan dialogun e as zgjidhjen e kërkesave legjitime të grevistëve . Ata për të mos u parë nga opinioni qëndrimi i tyre dhe kryeneçësia nuk kishin ftuar as mediet që të përcjellin takimin në MASHTI e as në ambientet e Qeverisë”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.
Tutje në komunikatë thuhet se “tani e tutje përfaqësuesit legjitim të BSPK-së, pra Këshilli Grevist do të shkoj në takime, por vetëm atëherë kur qeveria sillet si palë e barabartë dhe zhvillon debat përmbajtjesor dhe merret me kërkesat e grevistëve”.
“Takime në stilin ju sindikatat heshtni dhe pranoni ato që po themi ne nuk do të ketë më. Qeveria është i vetmi fajtor dhe deri sa ajo vazhdon me injorancë e fjalime të thata, greva do të vazhdojë sepse kështu kanë vendosur, jo individët, por grevistët”, thuhet në komunikatë./21Media

Back to top button