​Nuk ka më kontrata tetë vjeçare për lojtarët e Premier Ligës

Klubet e kampionatit anglez kanë votuar për ta limituar periudhën në të cilën shpërndahet shuma e transferimit të një lojtari në pesë vite, dhe lajmin e bëri të ditur vetë Premier Liga.

Në të kaluarën, klubet mund të amortizonin koston e një tarife transferimi gjatë gjithë gjatësisë së çdo kontrate, raporton KosovaPress.

“Aksionarët e Premier League ranë dakord sot të ndryshojnë rregullin për amortizimin e kostove të regjistrimit të lojtarëve për ta sjellë atë në përputhje me rregulloret e UEFA-s”, thuhet në një deklaratë të ligës.

“Në vijim, një maksimum pesëvjeçar do të zbatohet për të gjitha kontratat e reja ose të zgjatura”, thuhej më tej në komunikatën e Premier Ligës.

Shumica e klubeve të Premier Ligës kanë përfituar nga amortizimi, por kohët e fundit Chelsea ka nënshkruar me lojtarë me kontrata tetëvjeçare ose më shumë, duke u lejuar atyre një periudhë shumë më të gjatë në të cilën ata mund të shlyejnë tarifat e transferimit.

Kjo i lejoi klubet të kalonin rregulloret e Fair Play Financiar të Premier Ligës, sipas të cilave klubet lejohen të humbin një maksimum prej 105 milionë paund (131.76 milionë dollarë) gjatë një periudhe trevjeçare.

Chelsea ishte një nga 15 klubet që votuan për të ndryshuar rregullin e amortizimit, i cili nuk do të vlejë për transferimet e mëhershme, kështu që nuk do të përfshijë asnjë kontratë tashmë të nënshkruar.

Ndryshimi i rregullit e sjell Premier Ligën në përputhje me UEFA-n, e cila ndryshoi rregulloret e tyre në qershor.

Klubet kanë rënë gjithashtu dakord për një ndryshim rregulli që lejon Bordin e Premier Ligës të ndalojë një klub nga regjistrimi i më shumë lojtarëve kur një klub i detyrohet një borxh transferimi një klubi tjetër të Premier Ligës ose EFL derisa të paguhet borxhi i papaguar.

Back to top button