Konjufca uron Ditën e Evropës: Kosovës i duhet përkrahje nga institucionet e BE-së

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë me rastin e shënimit të 9 majit , Ditës së Evropës.

Konjufca tha se kjo datë shërben si dëshmi për vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Kosovës për rrugën drejt familjes evropiane dhe mishërimin me vlerat demokratike që promovon ajo.

“Ndonëse kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbledhjen e Këshillit Ministror, ne besojmë që Kosova meriton dhe duhet të anëtarësohet pa kushtëzime shtesë, të jetë anëtarja më e re me të drejta të plota në Këshillin e Evropës’’, tha Konjufca.

Tutje, Konjufca shtoi se për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin, anëtarësimi në BE është i rëndësisë së veçantë, e ku sipas tij, përfitimet janë të dyanshme.

‘’Më shumë paqe, siguri dhe prosperitet zhvillimor për Kosovën dhe rajonin do të thotë një Evropë më e fortë dhe më e sigurt’’, shtoi Konjufca.

Konjufca shtoi se tashmë janë bërë më shumë se një vit prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësimin në BE, e që sipas tij, Kosovës nga institucionet e BE-së e aleatët e tjerë, i duhet përkrahje për ndërmarrjen e hapave konkretë.

‘’Qytetarët e Kosovës, pavarësisht pritjes së gjatë, vazhdojnë të besojnë në politikat integruese evropiane dhe të kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e shoqërisë dhe institucioneve tona demokratike. Këtë e dëshmon edhe çmimi që do të ndahet në këtë ceremoni’’, përfundoi Konjufca.

Back to top button