Nussbaumer u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për të parandaluar tensionet

Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa që parandalojnë tensionet dhe të kthehen në tavolinën e bisedimeve.Në një konferencë për media pas takimit kryeparlamentarin Glauk Konjufca, Nussbaumer, ka thënë se Zvicra mbështet dialogun mes dy shteteve.
“Ne i kemi adresuar edhe marrëdhëniet komplekse mes Serbisë dhe Kosovës. Zvicra është e shqetësuar për tensionet në rritje në lidhje me pakicat serbe në Kosovë dhe situatën në veri. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa që të adresojnë këto tensione dhe të parandalojnë eskalimin. Zvicra mbështet dialogun”, u shpreh ai.
Ai ka thënë se Zvicra është mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës.
“Ne kemi pasur një takim të frytshëm. Në diskutimet tona i kemi theksuar marrëdhëniet dinamike dhe të fuqishme. Kosova dhe Zvicra kanë bashkëpunuar edhe në fushën e diplomacisë parlamentare. Unë e kam përshëndetur bashkëpunimin e ekspertizave ndërmjet parlamenteve tona. Zvicra është një mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës, Zvicra është krenare me komunitetin e integruar mirë në shoqërinë tonë, të kosovarëve”, u shpreh ai.