Nxënësit boshnjakë dhe turq mësojnë si të identifikojnë lajmet e rreme
Ka rifilluar seria e trajnimeve në kuadër të projektit “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.
Nxënësit e shkollave të mesme dhe aktivistët e shoqërisë civile të komunitetit boshnjak dhe turk patën mundësinë të mësojnë informacione të rëndësishme për dallimin e përmbajtjeve të rreme në media dhe rrjete sociale.
Hapja e Urës së Ibrit dhe informacioni se në Gjilan kishte rënë borë më 10 shtator ishin ndër lajmet e pavërteta që kishte lexuar nxënësja nga shkolla e mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë.
Derisa tregoi se çdo herë e më shumë po rritet trendi i publikimit të lajmeve të rreme, vlerësoi se trajnimi për edukimin mediatik i ka ndihmuar më shumë të vetëdijesohen rreth këtij fenomeni.
“Ky trajnim është shumë i rëndësishëm, sepse na ka mundësuar të vetëdijësohemi më shumë për media. Ne jemi duke jetuar në kohën e teknologjisë dhe ne çdo kohë e përdorim telefonin, mediat, televizorin e të tjera, por ne nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë ndodh në media, a është informacioni i gabuar ose i vërtetë, ose lajmi që na jep përshtypje a është i vërtetë apo gënjeshtër. Mendoj që shumë ka lajme fake (të rreme), sepse mundohen për klikime dhe njerëzit më pas mendohen a është saktë apo e vërtetë dhe nuk e dinë. Kohët e fundit më kanë dalë dy lajme që më kanë lënë përshtypje shumë, që në Gjilan ka rënë borë me 10 shtator, por ajo fotografi ka qenë më herët e bërë. Dhe një lajm tjetër që është hapur Ura e ibrit, por nuk kemi pasur fakte dhe nuk ka dalur askush të thotë që është hapur Ura e Ibrit”, tha Krypa.
Po ashtu edhe nxënësja boshnjake nga shkolla fillore e mesme e ulët “Naim Frasheri” në Prishtinë, Irsa Markoviq theksoi se pjesa më e rëndësishme e këtij trajnimi ishte të mësojë dallimet mes keqinformimit, dezinformimit dhe manipulimit.
Përdorimi gjithnjë e në rritje i inteligjencës artificiale ishte ndër çështjet e tjera të cilat u përmenden në këtë trajnim, për të cilën foli edhe vetë Markoviq.
“Pjesa më interesante e të gjithë këtij trajnimi në vetvete ishte të mësosh dallimet midis gjithë këtyre keqinformimeve; ka dezinformim, keqinformim dhe manipulimi, më parë i grupoja vetëm në një – dezinformim në vetvete. Por të mësosh dallimin mes tyre është vërtet e dobishme për mua, si një individ që dëshiron të mësojë të ndajë faktin nga e rrema, dhe të mësosh të gjitha këto gjëra të reja sigurisht që është kënaqësi për mua. Ishte ky film që e pashë, ku ishte tërësisht i krijuar nga inteligjenca artificiale, zërat, animacioni, i gjithë shkrimi në vetvete ishte bërë nga inteligjenca artificiale dhe ndihej kaq i mangët. Unë nuk munda ta shijoja sadopak dhe thjesht më dukej si një gjë tjetër që kompanitë do të bënin vetëm për një dollar shtesë në xhepat e tyre”, tregoi Markoviq.
Udhëheqësja e organizatës jo qeveritare me synim bashkëpunimin dhe mirëkuptimin mes komuniteteve jo shumicë në Kosovë “Hanuma”, Shukrie Gori Markoviq e konsideron si shumë të rëndësishëm mbajtjen e këtij trajnimi. Sipas saj për herë të parë iu është dhënë mundësia nxënësve të kenë bashkëpunim mes vete dhe t’iu vlerësohet mendimi i tyre.
“Ishte kënaqësi të jemi sot në trajnimin për edukimin e mediave sociale, për neve si organizatë, mirëpo edhe për fëmijët e tanë të komuniteteve jo shumicë është diçka shumë e rëndësishme, sepse iu është dhënë mundësia për herë të parë të kenë ndërveprim dhe të shihet se edhe mendimi i tyre është i rëndësishëm njëjtë sikur mendimet e njerëzve të tjerë, të cilët nuk janë komunitete jo shumicë, por jetojnë në Kosovë”, potencoi Gori Markoviq.
Po ashtu edhe bashkëthemeluesja e OJQ-së “Hanuma”, Melida Baqevac u shpreh se në trajnimin e sotëm ka mësuar gjëra të reja mbi lajmet e rreme për të cilat më herët nuk ka pasur njohuri.
“Trajnimi i sotëm ishte tejet me rëndësi sidomos që të edukohemi në aspektin medial, sepse sikurse në jetë, ashtu duhet edhe në shkollë e familje, pothuajse rinia të mësojë më shumë për dezinformim dhe informacione siç i përdorin rrjetet shoqërore në pajisjet digjitale dhe sot kam mësuar disa lajme të reja dhe disa kurthe për të cilat nuk kam ditur se ekzistojnë në media. Sot kam mësuar diçka të re dhe më ka pëlqyer shumë trajnimi i sotëm”, tha Baqevac.
Ndërkaq, menaxheri i projektit “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë” potencoi se nxënësit dhe aktivistët boshnjakë e turk patën mundësinë të marrin informacione thelbësore sa i përket identifikimit të lajmeve të rreme dhe mbrojtjen nga to.
“Rëndësia e trajnimit është jashtëzakonisht e madhe. Fëmijët dhe aktivistët boshnjak dhe turk, për të cilët ky sesion ishte i dedikuar për ta, morën informacione jashtëzakonisht thelbësore dhe risi për ta, për mënyrën se si t’i identifikojnë lajmet e rreme ose si të mbrohen nga dezinformimi. Kjo është diçka shumë e rëndësishme që ka të bëjë me edukimin medial që këtyre si të rinj iu shërben shumë, gjë që e thanë edhe vetë”, theksoi Miftari.
Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, ka filluar rreth tre vjet më parë. Ky projekt ka përfshirë trajnime për nxënësit e komuniteteve jo-shumicë në shumicën e qyteteve të Kosovës. Qëllimi i tij është që të rinjtë e këtyre komuniteteve të mësojnë të dallojnë përmbajtjet e rreme nga ato të vërtetat. Po ashtu, përmes ushtrimeve dhe tematikave të trajtuara gjatë trajnimeve, synohet të zhvillohet mendimi kritik i pjesëmarrësve