Viktima në Rumani e qindra të evakuuar në Çeki nga përmbytjet
Përmbytjet po shpërthejnë në pjesë të ndryshme të Evropës dhe tashmë ka viktima.
Pesë persona vdiqën në Rumaninë lindore dhe dhjetëra mbetën të bllokuar në zonat e përmbytura, njoftuan sot shërbimet e emergjencës.
Shërbimet e shpëtimit luftuan për të shpëtuar 95 njerëz në rrethet lindore të goditura rëndë, Galati dhe Vaslui.
Stuhia goditi 19 qytete në tetë qarqe në Rumani, me erëra të forta që rrëzuan dhjetëra pemë që dëmtuan makina dhe bllokuan rrugët. Kryeministri rumun Marsel Colaku anuloi sot udhëtimin e tij në qarkun e Galatit.
Gjatë fundjavës, stuhi dhe përmbytje të rënda goditën Republikën Çeke, Poloninë, Austrinë, Gjermaninë, Sllovakinë dhe Hungarinë.
Në Republikën Çeke, më shumë se 60,000 familje mbetën pa energji elektrike për shkak të pemëve të rrëzuara që bllokuan kanalet e kanalizimeve dhe erërave të forta.
Mbrojtja civile ka evakuuar rreth 400 banorë nga disa fshatra, shumë trena nuk funksionojnë dhe të gjithë kanë frikë se situata do të përkeqësohet pasi vala e ujit po afrohet me qytete të mëdha si Praga.
Për shkak të ngritjes së lumit Vltava, po bëhen përgatitje për përmbytje edhe në Pragë, ku lundrimi është pezulluar përkohësisht. Deri më tani, rreth 400 banorë janë evakuuar nga disa fshatra në kufirin çeko-polak.
Digat e degëve në të gjithë Republikën Çeke lindore kanë filluar të lëshojnë vëllime të mëdha uji për të ulur nivelet e rezervuarëve për të krijuar depo për atë që mund të bëhet një nga ngjarjet më të këqija të përmbytjeve në historinë moderne të Evropës Qendrore.
Në Bërno, qyteti i dytë më i madh çek, spitali lokal është evakuuar dhe pacientët do të transferohen në spitale të tjera, madje edhe në qytetet përreth, raportojnë mediat lokale.
Lumenjtë gjithashtu filluan të vërshojnë brigjet e tyre në rajonin Opole të Polonisë jugperëndimore dhe zjarrfikësve iu desh t’u përgjigjeshin rreth 400 thirrjeve për ndihmë.
Banorët në fshatin Morow në Poloninë jugperëndimore janë evakuuar mbrëmë pasi lumi Mory ka dalë nga brigjet e tij. 400 persona të tjerë u evakuuan në qytetin Glucholazy, i cili kërcënohet nga niveli i lartë i ujit të lumit Biala Glucholaska.