NYT: Emaili që lidh djalin e Trump me Kremlinin

Përderisa Moska dhe Shtëpia e Bardhë mohojnë

Donald Trump Junior, e dinte se informacioni i ofruar nga avokatja ruse ishte pjesë e një përpjekjeje të qeverisë ruse për të ndihmuar fushatën zgjedhore të babait të tij, raporton New York Times.

Publicist Rob Goldstone, i cili organizoi takimin e vitit 2016, raportohet të ketë deklaruar një gjë të tillë përmes një e-maili.

Trump Jr ka mbrojtur takimin, në të cilin avokatja ofroi të zbulojë materiale të dëmshme për Hillary Clinton.

Moska dhe Shtëpia e Bardhë mohojnë se ka pasur ndonjë ndërhyrje politike.

FBI dhe Kongresi po hetojnë aktualisht ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA, duke përfshirë edhe atë nëse ndonjë nga bashkëpunëtorët e Presidentit Trump u bashkua me qeverinë ruse për të ndikuar rezultatin.

Donald Trump Jr ka insistuar se avokatja, Natalia Veselnitskaya, nuk ka siguruar “asnjë informatë të rëndësishme” mbi rivalen e babait të tij.

Dhëndri i presidentit, Jared Kushner dhe kreu i fushatës, Paul J Manafort, ishin gjithashtu pjesë e takimit.

Natalia Veselnitskaya e cila është e martuar me një zyrtar të qeverisë së Moskës, ka mohuar se punon për Kremlinin.

Adam Schiff, demokrat i lartë në Komisionin e Inteligjencës i tha MSNBC se raportin e New York Times e sheh si “një zhvillim shumë serioz”.

“E gjithë kjo kërkon hetim të plotë. Çdokush që ishte në atë takim duhet të dilte përpara komitetit tonë”, shtoi ai.

Back to top button