OAK kërkon shkurtimin e afatit kohor për inicimin e procedurës hetimore në AKK

 
Në dëgjimin publik për Projektligjin për mbrojtjen e konkurrencës, Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar shkurtimin e afateve kohore për përgjigjen e inicimit të procedurës hetimore në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës (AKK).
Kryesuesi i Grupit punues në Komisionin për Ekonomi, deputeti Armend Muja tha se ky projektligj adreson të gjitha format e mundshme të keqpërdorimit dhe abuzimit të bizneseve në treg.
Megjithatë Diellza Zeqiri, përfaqësuese e Odës së Afarizmit të Kosovës, ka kërkuar ndryshimin e nenit 36, përkatësisht paragrafin 6 të këtij projektligji për shkurtimin e afateve kohore për trajtimin e inicimit të procedurave për hetim nga dhjetë muaj sa është aktualisht në tre muaj.
“Në rast se inicion procedurë tek Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, është një afat shumë i gjatë i pritjes, 10 muaj për të marrë në fund një konkluzion që nuk ka kushte për të filluar procedurën. Mendojmë se është afat i gjatë, ne kemi pasur raste konkrete, ku si Odë e Afarizmit kemi paraqitur rastet në fillim të vitit te Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, ndërsa deri në fund të vitit s’e kemi marrë as atë përgjigjen e kërkuar. Pas kësaj periudhe të gjatë të pritjes ne kemi marrë një përgjigje prej AKK-së që nuk ka kushte për të vazhduar procedurën. Me të vërtetë është një afat shumë i gjatë”, tha Zeqiri.
Kjo kërkesë e OAK-ut, kryesuesi Muja ka thënë se duhet të harmonizohet me të drejtën administrative.
“Edhe ashtu BE na ka rekomanduar t’i harmonizojmë të gjitha ligjet me të drejtën administrative. Këtë ta harmonizojmë dhe pastaj kur ka mungesë të kapaciteteve, shtetit i kërkojmë shtimin e kapaciteteve. Pra, e njësojmë edhe këtë, dhe do të sugjeroja administratën e Kuvendit në këtë pikë të njësohet me të drejtën administrative”, theksoi Muja.
Ndërsa, zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë thënë se qëllimi i këtij projektligji është për mbrojtjen e konkurrencës në treg. Rexhep Bllaca nga MINT, tha se risi substanciale e këtij projektligji është trajtimi i abuzimit me pozitë dominuese.
“Si risi substanciale e këtij projektligji është abuzimi me pozitën dominuese. Pozitë dominuese kanë ndërmarrja, e cila ka pjesëmarrje në treg 40 për qind. Ndërsa nëse janë dy apo më shumë ndërmarrje që veprojnë bashkërisht në treg në mënyrë të ndërlidhur, pjesëmarrja në treg duhet të jetë 60 për qind. Kjo është në përputhje të plotë me Rregulloren e BE-së”, theksoi Bllaca.
Edhe organizata të tjera për mbrojtjen e interesave të biznesit kanë kërkuar që me anë të këtij projektligji të rregullohet fusha e konkurrencës në tregun kosovar.

Back to top button