Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës realizuan takime ministrore dhe ndërministrore për të adresuar sfidat, me të cilat po përballet biznesi “NewCo Trofta” që i pamundësojnë eksportin e peshkut në Maqedoninë e Veriut.

Siç njoftohet, takimi i parë u realizua dje, nëpërmjet një video konference në mes të OAK-ut, përfaqësuesit të biznesit “NewCo Trofta”, Hysen Bytyqi, ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Maqedonisë së Veriut, Trajan Dimkovski, Zoran Atanasov – drejtor i Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoninë e Veriut dhe Valdet Gjinovci – kryeshef Ekzekutiv, AUV.

Kurse takimi tjetër ishte sot në mes të OAK-ut, përfaqësuesit të biznesit “NewCo Trofta”, ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, kryeshefit në AUV, Valdet Gjinovci dhe Departamentit të Tregtisë në MEPTINIS.

Gjatë këtyre takimeve u diskutuan sfidat, me të cilat po përballet biznesi anëtar “NewCo Trofta” si pasojë e moslejimit të eksportit të rasadit të peshkut në Maqedoninë e Veriut.

Sipas OAK-ut, ky problem ka më shumë se një vit që nuk është zgjidhur, edhe pse biznesi dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë kanë përmbushur të gjitha kërkesat dhe kriteret e kërkuara, megjithatë komisioni nga ana e Agjencisë së Ushqimit në Maqedoni nuk ka ardhur që të kryejë vlerësimin e aq më tepër nuk është përgjigjur në kërkesat e dërguara lidhur me këtë çështje.

Maqedonia e Veriut ka vendosur disa kritere, të cilat duhet të plotësohen nga bizneset atje në mënyrë që t’ju lejohet importi i peshqve të vegjël – rasad (deri në 5 gr – sipas kërkesave të blerësve) nga bizneset kosovare. Nga pamundësia e finalizimit të marrëveshjeve me blerësit, “Newco Trofta” L.L.C. u njoftua se është dëmtuar shumë si pasojë e mbipeshës së rasadit të peshkut.

Pas video konferencës përfaqësuesit nga Maqedonia e Veriut u zotuan se do të shtojnë Kosovën në listën që i lejohet operatori ekonomik, që të eksportojë produktet atje, mirëpo barrierat jo tarifore, të cilat janë vendosur edhe në këtë rast e pamundësojnë këtë.

Andaj, nga ministrja Hajdari, -vijon OAK- u, u kërkua që të merren masat e nevojshme nga dikasteri që ajo drejton në mënyrë që të arrihet një zgjidhje sa më e shpejtë për këtë çështje.

“Të dy ministrat Mustafa dhe Hajdari janë zotuar që do të trajtojnë rastin me prioritet dhe do të krijojnë një komision për të trajtuar këtë çështje në mënyrë që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për negociim me shtetin fqinjë për tejkalimin e kësaj sfide”, përfundoi komunikata e OAK-ut.